LDK do president unifikues që zgjedhet vetëm përmes marrëveshjes politike
1-First
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
LDK do president unifikues që zgjedhet vetëm përmes marrëveshjes politike
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë me dije, të premten se opsionin e vetëm që e pranon në lidhje me institucionin e presidentit është ai garanton se kryetari i shtetit duhet të jetë figurë unifikuese, mbi palët politike, ndërsa ka kërkuar që zgjedhja e tij të bëhet vetëm përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë politike.
Ky qëndrim doli pas mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie, ku, siç thuhet në një njoftim që u lëshua në Facebook, u diskutuan zhvillimet e fundit politike pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për të cilin LDK vlerësoi se ka sjellë qartësi juridike dhe ka rikthyer procesin në kornizën kushtetuese.
“LDK konsideron se çdo veprim politik në këtë fazë duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia shtetërore dhe jo nga kalkulimet partiake. LDK mbetet e përkushtuar për një zgjidhje që garanton unitet institucional, përfaqësim gjithëpërfshirës dhe shmang çdo tendencë për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme. Institucioni i Presidentit duhet të jetë figurë unifikuese, mbi palët politike, dhe në shërbim të rendit kushtetues dhe stabilitetit të Republikës”, thuhet në njoftimin e kësaj partie, transmeton KosovaPress. “Siç ka theksuar vazhdimisht Lidhja Demokratike e Kosovës, çështja e zgjedhjes së Presidentit nuk mund të zgjidhet përmes improvizimeve procedurale, por vetëm përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë politike, që siguron unitet institucional dhe balancë demokratike.
Sipas kësaj partie, në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, çdo përpjekje tjetër është e destinuar të dështojë.
“Për rrjedhojë, përgjegjësia për ndërtimin e kësaj marrëveshjeje dhe për menaxhimin e këtij procesi i takon partisë së parë. Çdo dështim për të arritur një zgjidhje do të bartë drejtpërdrejt përgjegjësinë politike për pasojat që pasojnë, përfshirë edhe shkuarjen në zgjedhje”, vazhdon njoftimi. “Në rast të dështimit dhe shkuarjes në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë e bashkuar, e qartë në vizion dhe e gatshme për besimin qytetar”. /KosovaPress/
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.