Më 2025 Serbia mohoi 110 krime lufte, mes tyre edhe Reçakun, Batajnicën e Srebrenicën
2-Second
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Më 2025 Serbia mohoi 110 krime lufte, mes tyre edhe Reçakun, Batajnicën e Srebrenicën
recaku
22/06/2026 - 10:38
Linku u kopjua

Autoritetet në Serbi kanë mohuar, vitin e kaluar, të paktën, në 110 raste, krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit që forcat e sigurisë së këtij shteti kanë kryer në vitet ’90 të shekullit të kaluar.

Ndër tjera, këtu përfshihen edhe mohimi i masakrës së  Reçakut në Kosovë dhe ekzistencës së varrezave masive me trupat e shqiptarëve, në Batajnicë,

Kështu thuhet në raportin “Gjendja e mohimit” të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) për vitin 2025.

Sipas këtyre gjeteve, janë evidentuar të paktën 60 raste të glorifikimit të 10 kriminelëve të dënuar të luftës, si dhe 50 raste të formave të ndryshme të mohimit të krimeve, përfshirë edhe rrethimit të Sarajevës dhe të ekzistencës së kampeve në Prijedor të Bosnjës.

Gjenocidi në Srebrenicë edhe më 2025 mbetet krimi më i mohuar individualisht, në Serbi, me të paktën 30 raste të dokumentuara.

Raporti i katërt me radhë, i titulluar “Gjendja e Mohimit – Serbia 2025: Kriminelët e luftës si qytetarë të merituar”, analizon praktikat e mohimit të krimeve të luftës dhe glorifikimit të autorëve të dënuar, nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, mediave, komuniteteve fetare, partive politike dhe qarqeve akademike.

Autorët e raportit veçojnë si ngjarje domethënëse të vitit 2025 vdekjen dhe varrimin e Nebojsha Pavkoviqit, ish komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave gjatë luftës në Kosovë. Gjenerali serb, i dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte në Kosovë, u varros në Alejen e Qytetarëve të Merituar në Varrezat e Reja të Beogradit, duke u bërë krimineli i parë i luftërave të viteve ’90 që nderohet me ceremoni shtetërore dhe ushtarake të nivelit më të lartë.

Drejtoresha e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Sofija Todoroviq, tha se mohimi dhe relativizimi i krimeve të luftës janë shndërruar në një nga shtyllat kryesore të politikës në Serbi.

“Viti i kaluar tregoi qartë se qëllimi i manipulimit me të kaluarën e luftës është dobësimi i kapaciteteve demokratike të shoqërisë sonë”, citohet ajo të ketë thënë për raportin e YIHR, transmeton KosovaPress.

Sipas raportit, përmasat rekorde të mohimit gjatë vitit 2025 lidhen pjesërisht edhe me reagimin e autoriteteve ndaj protestave masive qytetare, ku temat e luftërave dhe krimeve të luftës janë përdorur për diskreditimin e kundërshtarëve politikë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026