Latif Gashi për dëmtimin e Kompleksit “Zahir Pajaziti”: Akt i turpshëm, përgjegjësia bie mbi institucionet
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Latif Gashi për dëmtimin e Kompleksit “Zahir Pajaziti”: Akt i turpshëm, përgjegjësia bie mbi institucionet
lata1234
08/07/2026 - 19:45
Linku u kopjua

Latif Gashi, ish-deputet i PDK-së, ka reaguar pas dëmtimit të Kompleksit Memorial Kompleksi Memorial Zahir Pajaziti, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të turpshëm, të papranueshëm dhe çnjerëzor. Ai ka publikuar edhe fotografitë brenda objektit.

Ai ka thënë se sulmet ndaj memorialeve nuk janë vetëm dëmtime të objekteve fizike, por edhe sulme ndaj kujtesës historike, sakrificës së dëshmorëve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës.

Sipas Gashit, mungesa e sigurisë, mirëmbajtjes dhe kujdesit institucional në komplekset memoriale ka krijuar kushte që ato të mbeten të pambrojtura dhe të degradohen.

 Postimi i plotë:

Lënia në harresë e komplekseve memoriale nga institucionet shtetërore nuk është thjesht neglizhencë, por një alarm serioz për mënyrën se si po trajtohet kujtesa jonë historike.

Heqja e punëtorëve të sigurisë dhe të mirëmbajtjes, mungesa e ciceronëve dhe e kujdesit institucional në Kompleksin Memorial “Varrezat e Dëshmorëve” dhe Muzeun e Dëshmorëve në Penuhë, në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, si dhe në Kompleksin Memorial “Baza e Parë e UÇK-së” në Lladovc, ka krijuar kushte që këto vende të mbeten të pambrojtura dhe të degradohen dita-ditës.

Dëmtimi i Kompleksit Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan është një akt i turpshëm, i papranueshëm dhe çnjerëzor. Sulmi ndaj memorialeve nuk është vetëm sulm mbi gurët dhe objektet, por mbi kujtesën historike, mbi sakrificën e dëshmorëve dhe mbi vlerat mbi të cilat u ndërtua liria e Kosovës.

Përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet shtetërore, të cilat kanë detyrim ligjor, moral dhe kombëtar të sigurojnë ruajtjen, mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e këtyre komplekseve. Këto nuk janë projekte të zakonshme; janë projekte kombëtare, monumente të historisë sonë dhe vende që duhet të edukojnë brezat e rinj me respekt për lirinë dhe sakrificën.

Ruajtja e komplekseve memoriale nuk është çështje politike, por detyrim shtetëror dhe kombëtar. Respekti për dëshmorët nuk dëshmohet vetëm me fjalë e ceremoni përkujtimore, por me përkushtim të vazhdueshëm për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e vendeve që përjetësojnë veprën e tyre.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026