Lansohet programi “Supersportistët”, ja çfarë parasheh ai
Programi “Supersportistët” është programi më i ri i cili është lansuar sot në mbledhjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, program i cili sipas zëvendësministres së Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani do të jetë një shtytje e madhe për talentët e rinj të sportit në Kosovë.
Për katër vitet e ardhshme për këtë program është paraparë një buxhet prej katër milionë eurove.
“Programi do të identifikojë dhe do të përzgjedh top talentët që i kemi dhe do të ndihmojë e lehtësojë zhvillimin e tyre drejt medaljeve në garat elitare ndërkombëtare. Synimet e programit janë rritja e numrit të sporteve me rezultate elitare në arenën ndërkombëtare dhe njëkohësisht rritja e numrit të medaljeve të Kosovës në garat të ndryshme siç janë Lojërat Olimpikë Dimërore-Verore, Kampionatet Botërore-Evropiane, Lojërat Mesdhetare si dhe të gjitha garat tjera ndërkombëtare elitare që iu dedikohen grupmoshave. Programi ka afat prej 12 vitesh dhe është i ndarë në tri pika kyçe sipas cikleve olimpike ne Lojërat olimpike 2028, Lojërat Mesdhetare 2030 dhe Lojërat Olimpikë 2032. Sot ne qeveri, me vendimin që e kemi miratuar për zbatimin e ciklit olimpik 2024-2028, programi ‘Supersportistët’ ka buxhet në vlerë prej katër milionë eurove”, bëri të ditur Osmani.
Gjithashtu sot është ngritur edhe grupi që do të merret me monitorimin e këtij programi me përbërjen e mëposhtme: Driton Kuka si kryesues, Edmond Azemi, Arsim Maxherra, Kushtrim Krasniqi dhe Shkëlqim Sadriu.