Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka njoftuar të hënën se është hapur zyrtarisht aplikimi për Programin e Pagesave Direkte 2026, i cili konsiderohet programi kryesor për mbështetjen e prodhimit bujqësor në Kosovë.
Sipas tij, programi i këtij viti paraqet një hap të rëndësishëm në reformimin e politikave mbështetëse në bujqësi dhe harmonizimin gradual të tyre me sic ka thënë, parimet e Politikës së Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian.
Sipas këtij postimi, fermerët do të mund të përfitojnë nga katër shtylla kryesore të mbështetjes: pagesa zazë për të ardhura për sipërfaqet e pranueshme bujqësore, paagesat rishpërndarëse për fermat e vogla dhe të mesme si dhe fermerët e rinj, pagesat e lidhura me prodhimin dhe cilësinë për sektorët prioritarë të bujqësisë dhe eko-skemat për prodhimin organik dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.
Muja theksoi se programi i këtij viti vendos fokus të veçantë te prodhimi, rendimenti dhe cilësia, duke orientuar një pjesë të konsiderueshme të mbështetjes drejt fermerëve që prodhojnë, investojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin e tregut vendor.Muja ka bërë të ditur se periudha e aplikimit do të zgjasë nga 22 qershori deri më 21 korrik 2026, deri në orën 16, ndërsa aplikimet do të pranohen në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në të gjitha komunat e Kosovës.
Ministri u ka bërë thirrje fermerëve që të aplikojnë me kohë dhe të sigurohen që të dhënat e deklaruara për sipërfaqet, kulturat bujqësore, kafshët, kosheret dhe prodhimin të jenë në përputhje me gjendjen reale në fermë.
Ministri u ka bërë thirrje fermerëve që për informata shtesë, t’u drejtohen Drejtorive Komunale për Bujqësi, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.