Me 59 vota për, tre abstenime dhe tre kundër, Kuvendi i Kosovës ka votuar për emërimin e anëtarëve të rinj të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), raporton KosovaPress.
Kryesuesi i këtij bordi është zgjedhur Hekuran Nikçi, anëtarë Blerina Batusha, Berat Isa, Arbër Gojani, Atdhe Hykolli dhe Feim Kelmendi.
E sipas shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ministrave e Kurtit i ‘vie marre t’i propozojë emrat”, pasi që sipas tij, LVV dhe kreu i saj kanë “luftuar” për mbylljen e AKP-së.
“Të gjithë ishim dëshmitarë me prit se kush nga qeveria po e prezanton këtë pikë. A e dini pse? Se iu vie marre qeverisë, Kurtit se 20 vite ka gjuajtur gurë e ka kallur këtë vend, kanë shkuar njerëzit në burg, themelues të VV-së me qëllimin që duhet ta lëshojnë AKP-në, e sot mbas 26 vite e bjen në kuvend të Kosovës me emërua bordin e ri. Qysh ndihen themeluesit e VV-së sot, për ata i vie marre Kurtit dhe ministrave të tij. Duhet të reflektoj secili deputet dhe mos ta votojnë.. Shikoni anëtarët e propozuar, tre-katër prej tyre e keni procedurë penale për korrupsion”, tha Tahiri.“Dhe AKP kemi thënë se do të shuhet, kjo është deklaratë e maj 2021 kur Albin Kurti ka thënë se AKP do ta shuaj, por ai nuk e ka ditë prej asaj dite tek ma vonë funksionon sipas profiterizmit klasit shtetërorë, sipas parasë e jo sipas parimit. Nga shtatë të akuzuar tre me çështje penale. Unë propozoj që t’i marrin direkt nga burgu dhe saktë i dini se kë t’i merrni. Ju çka të thotë partia e votoni”, tha Ymeri.
Çuditëse i duket edhe deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, që të gjitha kauzat që VV dikur i ka kundërshtuar si opozitë po i bëjnë realitet.
“Fondi sovran i cili ka qenë zotim i joni dhe do të zëvendësoj AKP-në, është miratuar këtu në këtë kuvend 15 dhjetor 2023 me 62 vota për dhe këtë e keni dërguar në Gjykatës Kushtetuese, ku po pret që 852 ditë të marrim përgjigjen. Sapo të miratohet fondi sovran do të mbyllet dhe AKP, mos u brengosni fare për këtë, e votojmë e vazhdojmë tutje. Kemi ftuar një seancë në 17:00 me temë të rëndësishme, unë po pres nënshkrimet tuaja”, tha Nagavci.