La Repubblica: Shqipëria bllokon TikTok-un si masë kundër nxitjes së dhunës mes të rinjve
Ballkani
Lexohet për: 5 min.
shqiperi
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Qeveria e Tiranës ka ndaluar rrjetin social pas vdekjes së një 14-vjeçari. Një vendim që ka ndezur debat në vend dhe kudo në mediet e huaja, përfshirë median ruse, shkruan Arcangelo Rociola në një artikull të publikuar në të përditshmen italiane “La Repubblica”.

Bllokimi i TikTok-ut në Shqipëri është i ndryshëm nga 20 vendet e tjera që kanë ndaluar rrjetin social deri më tani, në mbarë botën.

Një vendim që do të zbatohet për të gjithë, pa dallim. Qeveria e Tiranës ka ndaluar përdorimin e medias sociale në mbarë vendin për një vit, për shkak të shqetësimeve për ndikimin që ai ka në shëndetin mendor të qytetarëve të saj të rinj, sidomos të adoleshentëve.

“Problemi sot nuk janë fëmijët tanë. Problemi jemi ne. Problemi është shoqëria jonë dhe çfarë po bëhet. Problemi sot është TikTok-u dhe të gjitha mjetet e tjera që po i marrin fëmijët tanë peng”, tha kryeministri Edi Rama.

Vrasja e një 14-vjeçari – një konflikt i lindur përmes rrjeteve sociale

Gjithçka nis nga një lajm krimi. 20 nëntorin e kaluar, një djalë 14-vjeçar nga Tirana u godit me thikë për vdekje nga një bashkëmoshatar i tij.

Ata, fillimisht sfiduan njëri-tjetrin në rrjetet sociale. Pastaj ndjekësit e tyre i ftuan në veprim. Reagimet ishin nxitëse – duke bërë që dhuna të shpërthente – duke  kaluar nga digjitale në kinetike. 24 plagë me thikë e lanë të riun të pajetë.

Një lajm që goditi opinionin publik shqiptar, jo vetëm për vetë dhunën, por edhe për nxitjen e bërë nga shumë të rinj që e realizuan atë.

“Problemi sot nuk janë fëmijët tanë. Problemi jemi ne. Problemi është shoqëria jonë dhe çfarë po bëhet. Problemi sot është TikTok dhe të gjitha mjetet e tjera që po i marrin fëmijët tanë peng”, tha kryeministri Edi Rama një muaj më vonë, më 25 dhjetor, kur miratoi me shpejtësi ligjin me efekt të menjëhershëm që ndalonte përdorimin e TikTok në vend për të paktën një vit.

TikTok-u protestoi ndaj vendimit, duke thënë se nuk kishte prova që lidhnin vrasjen e të riut me përdorimin e platformës.

Rama është kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Masa u kritikua gjithashtu nga opozita e tij politike.

Sali Berisha, ish-kryeministër, lider i Partisë Demokratike akuzoi qeverinë për censurë politike – pasi TikTok-u është një rrjet social që përdoret edhe për fushata politike.

Ndërkohë që po qarkullojnë analiza të ndryshme për ndikimin ekonomik që mund të sjellë ky ndalim, duke qenë se shumë biznese të vogla, shumë tregtarë përdorin platformën për të shitur produktet e tyre.

Rama vazhdon përpara. Problemi i medieve sociale dhe mendja e adoleshentëve

Rama nuk kthehet mbrapsht. As kritikat e medieve perëndimore dhe as ato të medieve ruse nuk kanë depërtuar në qëndrimet e tij.

Në fund të fundit, Shqipëria nuk është vendi i parë që ndalon TikTok-un. Gjithsej sot janë rreth 20 vende.

India ndaloi rrjetin social në vitin 2020, nga frika e ndërhyrjeve të mundshme kineze në jetën politike kombëtare.

Vendet e tjera pasuan vendimin si Nepali, Australia dhe Kanadaja.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë ndaluar përdorimin e TikTok-ut në pajisjet e njerëzve që punojnë në institucione. BM ka vepruar njësoj.

Por, Shqipëria është një rast më vete. Vendimi është marrë për të shmangur përhapjen e kulturave të dhunës.

Raporte të ndryshme nuk flasin për perversitete, por për efekte të thella psikologjike.

Një raport i “Amnesty International”, nëntorin e kaluar shkaktoi shumë diskutime.

Duke cituar disa studime – organizata joqeveritare ndërkombëtare e fokusuar në të drejtat e njeriut, me qendër në Britani te Madhe – shpjegoi se si sistemi i rekomandimit të përmbajtjes së TikTok-ut dhe praktikat e tij invazive të mbledhjes së të dhënave përfaqësonin një rrezik për përdoruesit e rinj të platformës.

Sipas “Amnesty International”, ato përforconin përmbajtjet depresive dhe vetëvrasëse të cilat rrezikonin të përkeqësonin problemet ekzistuese të shëndetit mendor.

Ndërsa në tetor disa hetime të NPR – organizata mediatike e pavarur, jofitimprurëse, e themeluar për të informuar publikun – theksoi se si çështja e adoleshentëve në platformë ishte një çështje e njohur në TikTok – dhe se nuk do të bëhej asgjë për të frenuar problemin.

Në realitet platforma ka bërë diçka. Përditësimet e produkteve të reja si verifikimi i moshës dhe disa ndryshime që ndihmojnë në shmangien e një ndikimi të tepruar në psikikën e të rinjve.

Investimet e TikTok-ut për të frenuar problemin dhe për të përmirësuar sigurinë

Kompania, muajin e kaluar njoftoi më shumë se 2 miliardë euro investime për të forcuar sigurinë e 175 milionë përdoruesve mujorë të Evropës.

Edhe nëse problemi në disa raste duket më kulturor – përballë një sfide si ajo e dy 14-vjeçarëve nga Tirana – të kërcënuar me dhunë.

Për një publik që e përdor platformën për konsum, çdo moderim ose veprim mund të duket i kotë. Dhe ndoshta është...

https://www.repubblica.it/tecnologia/2025/01/03/news/tiktok_albania_blocco_ragioni-423918574/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025