Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se nuk mund të flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke “braktisur njohjen reciproke”.
Në një intervistë për KosovaPress, Kurti thotë se nuk pranon që Asociacioni të vendoset në qendër të raporteve Kosovë-Serbi.
"Nuk mund të flasim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke braktisur njohjen reciproke. Pra, në qendër të marrëveshjes bazike është së paku njohja reciproke defaco. Unë nuk e mohoj që pararendësit dy herë e kanë nënshkruar Asociacionin, më 2013 dhe 2015, nuk e mohoj një gjë të tillë, mirëpo në të njëjtën kohë nuk pranoj që të vendoset në qendër Asociacioni në raportet Kosovë-Serbi”, shton ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për marrëveshjen e Brukselit në shkurt 2023, dhe Aneksit të Ohrit në mars të atij vitit, por nuk ka pasur zbatim.“Besoj që nëse ka dështuar diçka atëherë ka dështuar referimi mbi shkeljet e marrëveshjes, sepse Serbia e ka shkelur marrëveshjen që e ka pranuar, dhe më pastaj, gjyqtarët, referët - Brukseli nuk ka reaguar. Këtu është dështimi. Nuk mund të presim zbatim të një marrëveshjeje nëse nuk ka ndëshkim për shkeljet e saj, pra përderisa një marrëveshje nuk zbatohet, ajo nuk do të duhej të shkelet dhe kjo është toleruar nga ana e Brukselit për Serbinë”, thotë Kurti.
Sa i përket planit të sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes, Kurti thotë se nuk pritet që Beogradi zyrtar të tregojë konstruktivitet.