Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se e ka rritur fokusin e saj në identifikimin dhe trajtimin e personave që realizojnë të ardhura nga kriptovalutat.
Kështu, ATK ka kërkuar që këto të ardhura të deklarohen dhe tatohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për tatimin në të ardhurat personale, të ardhurat vjetore deri në 3 mijë euro nuk tatohen, ndërsa për të ardhurat nga 3 mijë deri në 5 mijë e 400 euro aplikohet norma 8 për qind, dhe për të ardhurat mbi këtë nivel norma është 10 për qind. Ndërkaq, për personat juridikë, norma e tatimit mbi të ardhurat e korporatave është 10 për qind.
ATK rikujton se të gjithë personat fizikë jo afaristë, personat fizikë afaristë dhe personat juridikë janë të obliguar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.“Nëse personi krijon humbje atëherë për humbjet e tilla mbanë evidenca të veçanta, të cilat duhet të jenë në dispozicion të ATK-së sa herë që kërkohen”, thuhet në njoftim, transmeton KosovaPress.
ATK paralajmëron se ndaj të gjithë atyre që nuk deklarojnë të ardhurat dhe nuk përmbushin obligimet tatimore do të ndërmerren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi.