Protestuesit u mblodhën në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan jo drejt godinës së Kryeministrisë, siç kishin lajmëruar, por drejt Parlamentit, aty ku po zhvillohej seanca plenare, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.
“Dorëzoni mandatet”, “Ju erdhi fundi!”, “Parlamenti i krimit”, “Rama jepe dorëheqjen” ishin disa nga thirrjet e protestuesve përpara Parlamentit.
Gjatë kalimit para selisë së PD-së ata brohoritën edhe thirrjen “Opozitë e shitur” duke çuar në një përplasje verbale me një grup mbështetësish demokratë.
Më pas, protestuesit vijuan marshimin drejt Kryeministrisë ku me pankarta dhe flamuj përsëritën thirrjet për shfuqizimin e Paktës së Maleve dhe ndryshimin e ligjeve për zonat e mbrojtura.Protestuesit kanë parashtruar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.