Ditën e sotme do të startojë zyrtarisht Kampionati Botëror I futbollit 2026, ku ndeshja hapëse do të zhvillohet mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Edhe qytetarët po e presin pa padurim këtë eveniment kaq të madh futbollistik, derisa kanë dhënë edhe parashikimet tyre, duke mos e përjashtuar mundësinë që ky Botëror të sjellë edhe ndonjë befasi të dorës së parë.
"Mirë, po e presim si të gjithë të tjerët, pak më ndryshe prej orarit. Unë jam me Anglinë, por ishalla fiton Portugalia për shkak të Ronaldos. Besoj që Portugalia, Argjentina ose Anglia mund të fitojnë."
Për Haki Rudakin, nuk ka shumë dyshime kur bëhet fjalë për fituesin e mundshëm, duke u bazuar te historia dhe dominimi i një prej kombëtareve më të mëdha në botë.Muhamet Rama bën një analizë më të gjerë të kampionatit, duke theksuar numrin e madh të pjesëmarrësve në këtë edicion të 23-të dhe ndarjen e trofeve mes Evropës dhe kontinenteve të tjera.
"Aty ka 48 shtete, shumë shtete, zor është me ditë se kush fiton. Nashta fiton Franca, fiton Anglia, Gjermania, Portugalia ose Holanda e Brazili e Argjentina. Jo veç unë, po s'ka kush e din se kush ka me fitu. Deri tash kanë qenë 22 kampionate botërore, ky është i 23-ti. Evropa ka fitu më shumë, 12 gjithsej, e jashtë Evrope i kanë fitu 10."
Ethet e Botërorit 2026 tashmë kanë kapluar edhe kryeqytetin e Kosovës. Ndonëse opinionet e qytetarëve të Prishtinës janë të ndara sa u përket favoritëve ajo që mbetet e përbashkët është shqetësimi për anën komerciale dhe çmimet e larta, çka tregon se futbolli po shihet gjithnjë e më shumë si biznes sesa thjesht një lojë e popullit.