Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka mohuar se ka ndërhyrë te kryeparlamentari Glauk Konjufca për ndërprerjen e seancës plenare.
Ajo në një konferencë për media, ka theksuar se seanca e sotme nuk është ndërprerë për shkak të bllokimit të mazhorancës.
Ajo ka përsëritur qëndrimin kundër tërheqjes së mjeteve të qytetarëve nga Trusti.
“Vota jonë është kundër propozimit të opozitës për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale... Nuk e di se ku po i marrin këto informacione opozita ose PDK, ose çfarë argumenti kanë për këtë lloj informacioni. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca është tërësisht kompetent, profesionist dhe natyrisht ka treguar deri më tash se ka qenë tepër korrekt në udhëheqje të seancës dhe një akuzë e tillë, absolutisht e pabazuar e tregon dëshpërimin opozitës për të vepruar ndryshe apo sipas metodave demokratike brenda në seancë”, ka thënë ajo.
“Ajo çfarë opozita ka propozuar, fatkeqësisht është mbështetur nga të tjerët. E kuptoj tendencën dhe ndjenjën se gjithë që kanë fonde në trustin, kanë projektuar se ku do t’i shpenzojnë ato, por që ky është një parashikim tepër afatshkurtër me pasoja afatgjate, qoftë në shkatërrimin e sistemit të kursimeve pensionale, qoftë në pasojat e menjëhershme që i shkakton në tregun në Kosovë. Sot seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit. Opozita duhet të jetë serioze në raport me pjesëmarrjen e tyre, nuk mund të bëjë vetëm përzgjedhje të pikave që ata duan t’i shtyjnë ose të bëjnë bllokada të natyrës, siç i pamë javën e kaluar”, ka shtuar ajo.
Kusari-Lila theksoi se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje është pro dialogut politik.