Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë të Maltës, Ian Borg, i cili po viziton vendin tonë në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, me të cilin bisedoi mbi sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe bashkëpunimin në kuadër të sfidave të tjera të përbashkëta. Duke i uruar mirëseardhje, kryeministri Kurti shprehu vlerësimin për kontributin e vazhdueshëm të OSBE-së në promovimin e qeverisjes demokratike, ndërsa nga ana e tij ministri Borg shprehu kënaqësinë të vizitojë Kosovën, për të mësuar më shumë për partneritetin mes OSBE-së dhe Qeverisë së vendit tonë.
Në takim u diskutua edhe mbi sukseset dhe arritjet e Kosovës në tri vjetët e fundit, ku kryeministri Kurti përmendi raportet ndërkombëtare që dëshmojnë avancimin demokratik të vendit, si dhe progresi ekonomik në rritjen e qëndrueshme dhe zvogëlimin e pabarazive. Në lidhje me marrëdhëniet bilaterale mes shteteve tona, u riafirmua bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, ku ministri Borg theksoi se Malta mbetet një shtet partner dhe mik i Republikës së Kosovës.