Kurti: S'është e drejtë që të ketë zgjedhje, do të ftoj liderët e partive opozitare në takim
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Kurti: S'është e drejtë që të ketë zgjedhje, do të ftoj liderët e partive opozitare në takim
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qysh sot do “t’i dërgojë ftesat tek liderët e partive opozitare për tu takuar në fillim të javës së ardhshme”. Sipas tij, nuk është e drejtë e as e dobishme që të ketë zgjedhje të përsëritura. Po ashtu, ai deklaroi se është e domosdoshme që të ketë marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit.
Kështu deklaroi Kurti në një prononcim për media teksa u pyet për çështjen e presidentit, pas vizitës në QKUK.
"Unë besoj që me krerët e partive opozitare opozitare duhet të takohemi dhe unë qysh sot do të ju dërgojë ftesa për tu takuar në fillim të javës së ardhshme", deklaroi Kurti.
Kurti tha se ka gatishmëri të plotë për konsensus, por gjasat sipas tij varen nga të tjerët.
“Gjasa për konsensus përcaktohet vetëm nga të tjerët për shkak se gatishmëria jonë për konsensus është e plotë”, tha ai.
Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur deklaratës së presidentes, Vjosa Osmani sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve më 28 dhjetor. Ai tha se nuk ka qenë e mundur qe të mbahen më 21 dhjetor e as më 4 janar.
"Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga sekretariati i Komisionit Qendror Zgjedhor, që thotë se e kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike. Mos harroni që ne kishim në tetor dhe nëntor edhe dy raunde të zgjedhjeve lokale dhe hymë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve lokale. Prandaj, nuk ka pasur mundësi tjetër për datë përveçse më 28 dhjetor. Nëse ndokush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, as kjo s’ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”, tha ai.
Tutje, Kurti tha se nuk nevojiten zgjedhje të reja “për të pasur garë se a po i bëjmë 80 deputetë”. Ai tha se është e domosdoshme që sa më parë të funksionalizohet kuvendi dhe të mos ketë zgjedhje të reja.
“Nuk besoj që është e nevojshme të përsëris veten. Presidentja e Republikës është kreu i shtetit, unë jam kryeministri i vendit dhe unë besoj që kemi një çështje që tashmë ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa theksi duhet të vihet tek fakti që në vitin e kaluar kemi pasur katër palë zgjedhje dhe jam i bindur që nuk duhet të përsërisim atë në 2025. Viti 2026 është viti i ri, nuk është as e drejtë, as e dobishme të kemi zgjedhje të përsëritura. Prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin prej neve stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura, pra, nuk ka nevojë për zgjedhje të reja përsëritura; ka nevojë që sa më parë të kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të fillojë Kuvendi të punojë”, deklaroi Kurti.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masën e përkohshme për dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Kjo masë e përkohshme ka hyrë në fuqi më 9 mars dhe do të mbetet në deri më 31 mars. /Sh.Pajaziti
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.