Kurti takon përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit
Lexohet për: 2 min.
17.2.2022 ZKM (1)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Me rastin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pritën në vizitë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe shef i grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, Naide Beqiri e Argjend Bajrami, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), Ragmi Mustafa dhe Arben Ferati, përfaqësues i Medvegjës në KKSh.

 Sipas një komunikate të Qeversië, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të tri komunave i uruan Kryeministrit Kurti, përvjetorin e pavarësisë, duke i uruar suksese të mëtejme në qeverisje. Dita e Pavarësisë së Kosovës është festë e veçantë jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, u shprehën ata.

“U diskutua gjendja e të drejtave të njeriut në tri komunat dhe nevoja për më shumë angazhim dhe unitet të politikanëve dhe të subjekteve politike. Theks të veçantë në bisedë pati pasivizimi i vazhdueshëm i adresave të banorëve shqiptarë të Medvegjës, duke i lënë kështu qindra shqiptarë pa dokumentacion as të Serbisë e as të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Libur Aliu dhe ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati.

 Me qëllim të ruajtjes së marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, kryeministri Kurti dhe kabineti qeveritar kanë komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me përfaqësuesit politikë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025