Qëndrimin në Strasburg, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e vijoi me takimin me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, eurodeputetin David McAllister.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti foli për përparimin demokratik të vendit, të njohur tashmë edhe në indekset ndërkombëtare në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsioni, lirinë e medias dhe të drejtave politike dhe lirive civile.
“Duke dhënë kështu shembullin dhe ofruar dëshminë që demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik mund të shkojnë krah për krah. Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përveçse orientim e synim i hershëm, erdhi edhe si rezultat i progresit në vend, që u njoh edhe nga Raporti i BE-së për vendin. Në takim, u diskutua pikërisht edhe për aplikimin e Kosovës dhe për rrugën përpara, dhe për finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri Kurti dhe eurodeputeti McAllister diskutuan edhe për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE, për propozimin Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar në Bruksel më 27 shkurt, dhe për takimin që pritet të mbahet këtë fundjavë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë takim, kryeministri Kurti shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jeta Statovci, anëtare e Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë.