Kurti përmbyll vizitën në Michigan
Lexohet për: 3 min.
ZKP ZKM 17 5 2022 (1)
2 vite më parë
Linku u kopjua


Vizitën në shtetin Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përmbyllur me një tubim të madh me komunitetin shqiptar, të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare Shën Pali.

Në Michigan jeton një nga diasporat më të mëdha shqiptare në botë, që numëron rreth 50 mijë shqiptarë.

Kurti ka shprehur kënaqësinë për takimin dhe i ka falënderuar ata për kontributin e madh që kanë dhënë për Kosovën dhe kombin shqiptar, edhe në luftë edhe në paqe, edhe para shpalljes së pavarësisë edhe pas shpalljes së saj.

Në tubim, drejtuesit e Kishës i kanë ndarë kryeministrit Kurti një mirënjohje për kontributin në çështjen kombëtare dhe avancimin e imazhit të shqiptarëve në botën demokratike.

Kurti ka pasur edhe një darkë të përbashkët me tre prijësit fetarë të shqiptarëve në Michigan: Imam Shuajb Gërguri i Qendrës Islamike Shqiptare, Dervish Eliton Pashaj i Teqes së Parë Bektashiane në Amerikë dhe Dom Fred Kalaj dhe Dom Ndue Gjergji nga Kisha Katolike Shqiptare e Shën Palit.

Sfidat dhe problemet e mërgatës, por edhe të Kosovës kanë qenë temë e bisedës.

"Nga ana jonë si qeveri ne kemi ambasadën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa juve u takon të mbeteni të bashkuar", ka porositur ai prijësit e tri konfesioneve fetare.

Gjatë ditës  Kurti e ka vizituar Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit, e ndërtuar nga komuniteti shqiptar në vitin 1981, në Rochester Hills. Kjo kishë u shërben rreth 2.000 familjeve shqiptare që jetojnë në Detroit e rrethinë. Në oborrin e saj ndodhen statuja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe statuja e humanistes shqiptare Nënë Tereza, të ndërtuara nga fondet e komunitetit.
 
Një ditë më herët kryeministri ka marrë pjesë në një tubim në Qendrën Islame Shqiptare. Kjo qendër e ndërtuar në Harper Woods në vitin 1963, i shërbente komunitetit të vjetër shqiptar të etabluar mirë që nga viti 1940, ndërsa tani u shërben emigrantëve të rinj myslimanë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Themelues i kësaj qendre ishte imami i parë Vehbi Ismail, i cili arriti në Detroit në vitin 1949 dhe themeloi Shoqatën e Shqiptaro-Amerikanëve Myslimanë. Në shenjë nderimi për vizitën, drejtuesit e Qendrës i kanë ndarë kryeministrit Kurti çmimin “Hoxhë Hasan Tahsini”, thuhet në komunikatë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025