Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 21 viktimat e masakrës në Podujevë, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kurti ka shkruar në Facebook se më 28 mars 1999, mbi familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu u krye një masakër nga njësiti “Shkorpionët”, të cilin e cilësoi si një njësi të përfshirë edhe në krime të tjera në rajon.
Kurti tha se krimet e luftës duhet të trajtohen nga drejtësia dhe të kthehen në aktakuza konkrete, duke theksuar nevojën për veprim më të fuqishëm institucional në ndjekjen e përgjegjësve.
Ai gjithashtu përmendi rëndësinë e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, duke e konsideruar atë një hap drejt dokumentimit të së vërtetës historike dhe drejtësisë për viktimat.