Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se këtë vit, kanë ndarë për herë të parë një Fond të veçantë për komunitete jo shumicë, në vlerën prej 3 milionë eurove, me të cilat financuam 259 grante për fermerë, start-ups dhe OJQ me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete.
Kurti ka shkruar në Facebook se gjatë vitit 2022, qeveria ka mbështetur 123 projekte për biznese të vogla dhe start-ups nga radhët e të gjitha komuniteteve.
Kurti thekoi sivjet kanë qenë të planifikuara gjithsej 149 projekte kapitale në komunat me shumicë serbe që kapin vlerën e përgjithshme prej 12.3 milionë euro.
Ai ka thënë se Republika e Kosovës është e të gjithëve, jo vetëm e shumicës.
Postimi i plotë i Kurtit:
Një republikë e të gjithëve, jo vetëm e shumicës. E tillë është Kosova. E tillë është qeverisja jonë.
Me qëllim të njëjtë, themeluam dhe Grupin ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve. Vitin e kaluar, 104 qytetarë të këtyre tri komuniteteve, përfituan nga trajnimet që ofrohen nga Qendra e Trajnimeve Profesionale – trefish më shumë se një vit më herët. Ndërsa të dhënat e Agjencisë së Punësimit për vitin 2022 tregojnë se është shënuar një rritje prej 31% të numrit të vendeve të punës që kjo agjenci ka gjetur për komunitetet jo shumicë, ndërkaq që numri i vendeve të punës për komunitete jo shumicë, përbën 12.5% të totalit të vendeve të punës të gjetura përmes kësaj agjencie.
Më tej, komunitetet jo shumicë përbëjnë 17% të subvencioneve të Ministrisë së Ekonomisë për pajisje efiçiente, në kuadër të masave tona për efiçencë të energjisë. 9% e praktikantëve me pagesë përmes programit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve “Kosovo Generation Unlimited”, vijnë nga radhët e komuniteteve jo shumicë, përqindje kjo përfaqësuese në raport me tërësinë e popullatës.
Ndër 15 vite, bazuar në të dhënat vjetore të buxhetit 2008-2022, 10 komunat me shumicë serbe kanë pasur 62% më shumë buxhet për kokë banori se 28 komunat tjera të Republikës. Sivjet kanë qenë të planifikuara gjithsej 149 projekte kapitale në komunat me shumicë serbe që kapin vlerën e përgjithshme prej 12.3 milionë euro.
Në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare, kemi rritur kapacitetet e Zyrës për Kontrollin dhe Harmonizimin Gjuhësor në gjuhët zyrtare. E përtej ligjit, së fundmi kemi filluar edhe transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën serbe, për informim më të mirë dhe më të drejtë të qytetarëve serbë me vendimet e qeverisë së tyre.