Kurti nga Zvicra u bën thirrje kompanive të huaja të investojnë në Kosovë
Biznes
Lexohet për: 2 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë sot në konferencën “Business Agility Day” në Cyrih të Zvicrës, ku para përfaqësuesve të rreth 150 kompanive ndërkombëtare ka prezantuar progresin e Kosovës dhe potencialin për investime të huaja.

Ai theksoi përkushtimin dhe angazhimin e vendit tonë për transformim digjital dhe inovacion, duke hapur kështu rrugë për partneritete të reja dhe zhvillim.  

“Unë jam këtu për t’ju bërë ftesë që të drejtoni shikimin tuaj kah juglindja (e kontinentit), në drejtim të një vendi të gatshëm për të mbështetur dhe rritur ambiciet tuaja – Republikës së Kosovës. Kosova nuk është thjesht një destinacion tjetër për investime: është vendi ku biznesi i juaj mund të bëhet pjesë e një misioni më të madh. Është një mundësi për të kontribuar në një ekonomi në rritje, për të shfrytëzuar potencialin e një fuqie punëtore të re dhe dinamike, për të përfituar dhe për të qenë pjesë e një shoqërie të qëndrueshme dhe përparimtare”, tha Kurti.

Ai veçoi politikat fiskale dhe tatimore, lehtësirat doganore për importin e pajisjeve dhe lëndës së parë për prodhim, infrastrukturën digjitale, popullatën e re e të edukuar, qëndrueshmërinë institucionale, progresin ekonomik, përparimin demokratik dhe sundimin e ligjit si karakteristika kryesore dhe përparësitë e vendit tonë për investime të huaja.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e institucioneve për të ofruar infrastrukturën, fuqinë punëtore dhe mbështetjen e nevojshme qeveritare për të realizuar projektet e tyre ambicioze.

“Në Kosovë nuk do të gjeni vetëm një treg, por një partner – një partner që vlerëson inovacionin, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin” tha Kurti në përfundim të fjalës së tij. 

Kryeministri Kurti në Cyrih gjithashtu do të ketë një diskutimin dhe bashkëbisedim me studentë shqiptarë të organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë, me temë "Investoni në Kosovë". Ndërsa nesër në Bernë, do të ketë takime me përfaqësues politikë e institucionalë të Zvicrës, si dhe do të takohet me përfaqësuese të komunitetit të grave ndërmarrëse shqiptare dhe pjesëtarë të mërgatës kosovare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024