Kurti në përvjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit: Vepra e tij nuk mjafton të lexohet, vetëm rileximi është lexim
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kurti në përvjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit: Vepra e tij nuk mjafton të lexohet, vetëm rileximi është lexim
Ukshin 1234
16/05/2026 - 17:49
Linku u kopjua

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Andin Hoti, me rastin e përvjetorit të 27-të të zhdukjes së profesorit Ukshin Hoti, vizitoi Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe.

Kurti tha se vepra e tij duhet të rilexohet, nuk mjafton të lexohet, vetëm rileximi është lexim.

Ai tha se profesor Hoti ishte një mendje jashtëzakonisht e ndritur jo vetëm e shqiptarëve.

“Me shumë pikëllim e dhimbje kujtojmë ditën kur para saktësisht 27 viteve profesor Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, ku po mbahej si rob lufte, ku ishte fillimisht i burgosur politik, vetëm dhe vetëm që më pastaj  të zhdukej dhunshëm dhe sot e kësaj dite ne të mos dimë gjë për të”, tha ai.

Deklarimi i plotë i Kurtit:

Ndodhemi këtu te Shtëpia Muze në Krushë të Madhe, në vendlindjen e profesor Ukshin Hotit, të bacës Ukë. Një mendje jashtëzakonisht e ndritur e shqiptarëve, dhe jo-vetëm, për shkak se teoritë politike të tij kanë vlerë universale dhe padyshim lexohen e do të studiohen edhe nga popujt e tjerë.

Janë teori të cilat i japin rol vendimtar vullnetit të popullit, janë teori të cilat tregojnë se si republika demokratike është sistemi më i mirë politik dhe gjithashtu janë teori të cilat i japin inkurajim emancipimit dhe çlirimit të popujve mbarë

Sot, më 16 maj, ne me shumë pikëllim e dhimbje kujtojmë ditën kur para saktësisht 27 viteve profesor Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, ku po mbahej si rob lufte, ku ishte fillimisht i burgosur politik, vetëm dhe vetëm që më pastaj  të zhdukej dhunshëm dhe sot e kësaj dite ne të mos dimë gjë për të.

Mirëpo, profesor Ukshini na ka lënë veprën e tij, e cila duhet të rilexohet, nuk mjafton të lexohet, vetëm rileximi është lexim, ndërkaq leximi nuk është lexim, dhe ky rilexim i veprës së Ukshin Hotit padyshim që do të ketë një fazë të re me botimin e veprave të tij, për çfarë kemi marrë vendimin në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe është duke u mbledhur materiali nga Beogradi e Zagrebi e deri te Harvardi, ku ka studiuar, punuar dhe shkruar profesor Ukshin Hoti

E, kur vimë këtu te Shtëpia Muze dhe i shohim fotografitë e tij, disa prej tyre për herë të parë, na ngjallin shumë ndjenja të përziera. Në njërën anë, përplot pikëllim sepse sa mirë ta kishim të gjallë e aktiv e aktual. Por, në anën tjetër, edhe krenarë sepse lum që e patëm dhe padyshim që na ndriçon rrugën përpara, porsi rilindësit e tjerë të kombi tonë.

Lavdi profesor Ukshin Hotit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026