Kurti: Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në BE dhe NATO
Lexohet për: 3 min.
KURTII
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nëse Serbia do të kishte ndier përgjegjësi për gjenocidin në Kosovë do ta njohur Pavarësinë e Kosovës, qysh në vitin 2008.

Kurti në fjalimin tij, në seancën solemne të Kuvendit, me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, theksoi se Serbia në vend që të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, ajo përfaqësojë terrorizmin, duke kryer agresion ushtarak më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë.

Ai përmendi edhe pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Të gjithë ne e kemi të qartë se në rast se Serbia shtetërore do të ishte ndjerë sado pak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovinist ajo do të duhej të kishte njohur Kosovën qysh në vitin 2008. Kosova  garanton të drejta më të gjëra për pakicat në rajonin tonë, posaçërisht për serbët që përfitojnë dhe kontribuojnë në shtetin tonë të përbashkët. Ndërkaq, shqiptarët në Luginën e Preshevës janë pakica më e diskriminuar në Evropë, ku edhe sot po i nënshtrohen spastrimit, përmes të ashtuquajturit pasivizim të adresave”, tha Kurti.

Ai para deputetëve dhe ambasadorëve të akredituar në Kosovë, akuzoi Serbinë se po ndjek rrugën e konfrontimit dhe bllokadës me Kosovën.

Krahas kësaj, Kurti, theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe NATO.

“Kosova mbetet e përkushtuar për Procesin e Berlinit, planin e rritjes dhe do të vijojë punën me partnerët dhe aleatët tanë perëndimor për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, sidomos anëtarësimi i Kosovës në NATO është një imperativ për të garantuar sovranitetin e shtetit tonë dhe për të penguar influencat e Rusisë në rajon. Bashkëpunimi me Shqipërinë do të shtohet dhe qeveria mbetet e zotuar për të zbatuar marrëveshjet midis dy shteteve tona. Kosova është në krah të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi si shtete fqinje që ndajmë vlera të njëjta. Ne besojmë se qytetarët shqiptarë në këto vende do të jenë një faktor për paqe, drejtësi dhe aleancë me perëndimin”, shtoi ai./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025