Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar draftin e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se në vend se të dalë me propozim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Rama duhet të ketë draft për shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Kryeministri Kurti në një konefrencë për media, ka ftuar kryeministrin Rama që draftin t’ja propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur”.
“Nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për Draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare t’ja propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të "Ballkanit të Hapur" për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc", ka theksuar Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë po ashtu se beson që modeli i Ramës është mirë, por sipas tij, drafti në vend se t’i propozohet për serbet në Kosovë në Parsi e në Berlin, t’ia propozojë Beogradit për shqiptarët në Serbi.
Kurti në konferencën për media ka folur për takimin e sotëm me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ku ka thënë se ka paraqitur vullnet të plotë për depërshkallëzimin e situatës në veri të vendit.
Ai ka thënë se gjatë të hënës ka pasur disa biseda telefonike me ndërkombëtarët, dhe se Kosova është e interesuar që të gjendet një zgjidhje për shtensionim të situatës.