Kryeministri Albin Kurti me një video-fjalim iu drejtua qytetarëve për situatën e krijuar në lidhje me zgjedhjen e presidentit.
Ai tha se kanë bërë oferta për kompromis ndaj partive opozitare, duke u ofruar pozita të rëndësishme në institucione, me qëllim që të arrihet marrëveshje dhe të shmanget bllokimi institucional.
Fjalimi i plotë:
Të dashur qytetarë,Legjislatura e 10-të e ka zgjedhur kryesinë e Kuvendit dhe Qeverinë. Ajo tash duhet ta zgjedhë presidentin dhe të shmangë zgjedhjet sepse ato janë të panevojshme dhe humbin kohë dhe mjete të buxhetit të Kosovës. Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës së paku 10 milionë euro, mandej për shkak të mungesës së funksionimit të Kuvendit do të humbisnim shumë dhjetëra miliona euro të tjerë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve të sërishme do të mund të ishin pak a shumë të përafërta me ato ekzistuese.
Meqënëse problemi kryesor mbetet nevoja për 80 deputetë për kuorum te çështja e Presidentit, zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje. Rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet dhe të respektohet, sepse ai përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bazën e demokracisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! (LVV) ka siguruar shumicën e votave dhe të deputetëve, prandaj kërkon që ky rezultat të merret parasysh në proceset politike dhe në vendimmarrje. Nëse shkojmë në zgjedhje në qershor, dhe LVV me partnerët (GUXO, Alternativa e pakicat) nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë a dimër. Kujt i konvenon kjo?!
Kam propozuar edhe një alternativë tjetër: ndërrimin e pozitave mes kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, LDK të merrte pozitën e kryetarit të Kuvendit, Kryetarja aktuale të bëhej nënkryetare. Me këtë rast LVV nuk do t’i kishte tre pozitat e larta shtetërore siç ankoheshin deri më tani. U refuzua edhe kjo.
Mos të harrojmë 4 veta në LVV kanë më shumë vota se kryetari i PDK-së: përveç meje, edhe Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu si dhe Hekuran Murati i cili po ashtu ka më shumë vota sesa Bedri Hamza. Ndërkaq nëse e krahasojmë me LDK-në, 10 veta nga LVV janë më të votuar sesa kryetari i LDK-së.
Të dashur qytetarë,
Ne kemi shkuar me kandidat nga subjekti ynë kur ndodheshim fare pranë mesnatës ndërmjet 5 dhe 6 marsit me kandidatin e parë dhe të dytë, vetëm pasi nuk arritëm në një kandidat konsensual dhe vetëm pasi nuk kishte asnjë propozim të vetëm nga ana e subjekteve opozitare.
Propozuam kandidatin Glauk Konjufca, i cili është njeri i dytë më i votuar në historinë e Kosovës dhe Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Ne duhet të kemi parasysh dhe respektojmë vullnetin e popullit të shprehur përmes rezultatit zgjedhor: LVV ka 51.1% të votave apo 57 deputetë, ndërsa mazhoranca jonë arrin në 66 deputetë.
Demokracia duhet të bazohet në vullnetin e popullit dhe në rezultatin zgjedhor, jo në marrëveshje politike që e anashkalojnë dhe shkelin atë. Pa respektimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë marrëveshje politike. Ndërkaq, qëllimi është të shmangen zgjedhjet e përsëritura dhe të sigurohet stabiliteti institucional.Kësisoj, janë bërë oferta për kompromis ndaj partive opozitare, duke u ofruar pozita të rëndësishme në institucione, me qëllim që të arrihet marrëveshje dhe të shmanget bllokimi institucional. Fatkeqësisht, këto oferta gjeneroze janë refuzuar anipse janë shumë të favorshme në raport me numrin e deputetëve që ka opozita.
Çdo takim me ta është inicuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja. Krerët e PDK dhe LDK fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata.