Një sasi e sistemit amerikan antitank Javelin do të arrijë në Kosovë gjatë këtij viti, thotë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai thekson se në vitin 2026 do të nisin edhe prodhimet e para të municioneve në Kosovë, derisa tregon se në vitin 2028 do të nënshkruhet kontratë për blerjen e helikopterëve Black Hawk.
Maqedonci në një intervistë për KosovaPress flet edhe për procesin e anëtarësimit në NATO, konceptin e ri të mbrojtjes gjithëpërfshirëse dhe rreziqet e sigurisë nga Serbia.
“Jo, është totalisht çështje teknike. Aprovimi për blerjen e sistemit Javelin është bërë në Kongresin Amerikan dhe Departamentin e Mbrojtjes në janar të vitit 2024. Pra ne, ne na është aprovuar blerja e këtyre sistemeve. Ne e kemi kontraktuar këtë sistem përmes Departamentit të Mbrojtjes, i kemi ekzekutuar të gjitha pagesat. Normalisht, çështja e liferimit varet nga kapaciteti i prodhimit, por edhe prioritetet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë në raport me dërgimin e këtij sistemi nëpër botë...Ne besojmë që edhe po bëjmë përpjekje që të kemi një sasi këtë vit. Mirëpo, tashmë ushtria e Kosovës ka dhe tre sisteme të tjera antitank. Pra, Javelin është vetëm një në mesin e katër sistemeve që i ka”, thotë ai.
Në fushën e industrisë së mbrojtjes, Maqedonci bën të ditur se Kosova është në fazën e bashkë-implementimit të kontratës me prodhuesin shtetëror turk Makine ve Kimya Endustrisi Kurumu (MKE).Duke folur për zhvillimin e kapaciteteve ajrore, ministri thekson se FSK-ja ka tejkaluar shumë objektiva të planit të tranzicionit, duke përfshirë krijimin e njësive të reja si operacionet speciale dhe njësisë për fluturakët pa pilot.
Ai bëri të ditur se faza e tranzicionit përfundon në vitin 2028 dhe se synimi është që para kësaj date të paktën të nënshkruhet një kontratë me prodhuesin e helikopterëve Sikorsky UH-60 Black Haëk, të cilët përdoren gjerësisht nga ushtria amerikane dhe vendet e NATO-s.
Krahas kësaj, ministri Maqedonci deklaron se është hequr dorë nga ideja e shërbimit të obligueshëm ushtarak, duke u orientuar drejt një modeli vullnetar në kuadër të konceptit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse.
Maqedonci foli edhe për thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke theksuar analizat për prodhim të përbashkët dhe prokurime të përbashkëta të sistemeve të ndryshme ushtarake, me qëllim uljen e kostove dhe shkurtimin e kohës së furnizimit.
Ai thekson se reagimet e Serbisë ndaj këtyre iniciativave lidhen, sipas tij, me një qasje hegjemone në rajon, por shtoi se në asnjë rast nuk është diskutuar krijimi i një aleance kundër ndonjë shteti të caktuar.