Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së enjtes ka pezulluar partinë politike Aleanca për Kosovën e Re (AKR). Sipas vendimit, kjo parti obligohet të mbajë kuvendin zgjedhor brenda 45 ditësh, në të kundërtën KQZ mund të marrë vendim për çregjistrimin e saj nga regjistri i partive politike.
Megjithatë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Vesel Makolli, thotë se kjo nuk nënkupton shuarjen e partisë.
“Nuk bëhet fjalë për shuarje. Ne e kemi pasur afatin për ta mbajt kuvendin zgjedhor në fund të shkurtit. Pasi që janë mbajtur dy palë zgjedhje lokale dhe nacionale, ne gjatë asaj kohe nuk kemi mundur t’i mbajmë zgjedhjet. Ne kemi bërë një kërkesë KQZ-së, por nuk qenka aprovuar, meqenëse ka pasur dispozita juridike që është dashur ta mundësojnë këta. Meqenëse nuk është aprovuar kërkesa jonë, atëherë bëhet pezullimi, derisa të mbajmë kuvendin që pritet brenda dy muajsh”, tha Makolli.
Ndërkohë, sa i përket ish-kryetarit të kësaj partie dhe ish-presidentit të Kosovës, Behxhet Pacolli, Makolli tha se ai do të ketë një rol të veçantë në parti edhe pas zgjedhjeve të reja të brendshme.
Aleanca për Kosovën e Re (AKR) është themeluar në vitin 2006 nga biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli. Kjo parti ka qenë pjesë e disa proceseve politike dhe qeverisëse në vend ndër vite. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, AKR ka garuar në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa strukturat e saj drejtuese janë në proces të riorganizimit përmes mbajtjes së kuvendit zgjedhor.