Kupina goditet me shishe të qelqit, Salihu shoqërohet në polici
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, njëkohësisht kryetari i Lidhjes për Prishtinën, Fehmi Kupina gjatë seancës që është mbajtur sot në komunë në tentin për votimin e buxhetit 2026, është sulmuar me shishe të çelçit.
Siç mësohet deri me tani Kupina është sulmuar nga asamblisti i LDK-së, Sami Salihu, ndërkaq arsyeja e këtij incidenti ende nuk dihet.
Asambleisti i LDK-së, Sami Salihu është shoqëruar në stacion policor, ndërsa Kupina merr ndihmën mjekësore në autoambulancë në oborrin e komunës.
Kosovapress ka kontaktuar Kupinen por i njëjti nuk është përgjigjur.
Ndërsa, asamblistja e LDK-së, Fitnete Bejta ka bërë në reagim lidhur me këtë incident.
"Pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kryeqytetit, para objektit të Komunës së Prishtinës, ndodhi një akt i papranueshëm dhe i rëndë: u sulmua fizikisht asambleisti ynë, z. Sami Salihu. Ky sulm, i kryer nga djali dhe persona të afërt me kryesuesin e Kuvendit, z. Fehmi Kupina, është jo vetëm një dhunë e paprecedentë ndaj një përfaqësuesi të qytetarëve, por edhe një goditje e rëndë ndaj demokracisë, institucioneve dhe dinjitetit të Kuvendit të Kryeqytetit.Ne Grupi i Asambleistëve të LDK-së, e dënojmë fuqishëm këtë akt të shëmtuar, që synon të frikësojë dhe të nënshtrojë zërin e lirë politik. E falënderojmë Policinë e Kosovës për reagimin e menjëhershëm dhe kërkojmë me ngulm nga organet e rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin masa të menjëhershme.Grupi jonë qëndron pranë z. Sami Salihu me bindjen e fortë se dhuna nuk do të mund ta ndalë asnjëherë misionin tonë për të mbrojtur interesin qytetar, demokracinë dhe rendin ligjor në Prishtinë e Kosovë", ka shkruar ajo në Facebook.
Lajmi në përditësim...
Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës, e cila ishte thirrur nga kryetari Përparim Rama, për miratimin e buxhetit për vitin 2026.
Grupi i asamblistëve të LVV-së më herët ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë mbledhje, derisa kanë arsyetuar vendimin e saj duke thënë se kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka dërguar për votim buxhetin në mënyrë të njëanshme, pa asnjë konsultim paraprak dhe duke i anashkaluar anëtarët e Kuvendit Komunal dhe qytetarët e Prishtinës.
/Kosovapress/