Kryetari i Çairit: Situata e krijuar pas vizitës së Kurtit është e qëllimshme  
Lexohet për: 4 min.
Visar Ganiu
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka folur pas zhvillimeve të fundit në Maqedoninë e Veriut lidhur me vizitën e kryeministrit të Kosovës. Ai ka bërë të ditur se është gjobitur personalisht, si dhe institucioni që ai drejton, për shkak të ikonografisë shqiptare dhe mos përdorimit të flamurit dhe himnit të shtetit, në tubimet e organizuara më 11 gusht.

Në një intervistë për RTK Prime, Ganiu ka thënë se është hera e parë që një kryetar komune thirret në biseda informative për çështje të tilla.

“Është herë e parë që unë, së paku si kryetar komune 6 vite jam, por asnjë kryetar komune nuk është thirrur në biseda informative për vizita të tilla. Ata na dhanë shpjegim se ne nuk e kemi përdorur himnin e Maqedonisë dhe nuk kemi përdorur flamurin, ndoshta ajo ka qenë pjesë e protokollit, ku më të vërtetë ndoshta nuk ka pasur flamuj as të Maqedonisë as të Kosovës. Ne kemi shkuar prapa me një ekran të madh elektronik dhe aty janë sill të gjitha gjërat, në binë nuk kemi parë të arsyeshme të vendosim flamuj duke e ditur që e kemi një ekran të madh dhe aty herë pas herë janë sillë të gjitha, portreti i Adem Demaçit, thënie, ka flamuj, fjalime e kështu me radhë, por për atë arsye me thirren dhe më kanë njoftuar ase janë dy dënime ndaj meje, për kundërvajtje, një e lëshojnë komunës dhe një personalisht mua si individ”, ka thënë ai.

Sipas Ganiut, në Maqedoninë e Veriut kanë filluar diferencimet politike si në kohën e komunizmit.

“Nga dje që e pash, tash me prit çdo gjë, në një deklaratë dje thash më vjen mirë që fryma e Adem Demaçit e kemi mbjellur në Shkup frymën e rezistencës dje e pash që pas një periudhe duke u proklamuar lideri i BDI që shqiptarët i gëzojnë të gjithë të drejtat, e pamë që shqiptarët mund të thirren për diçka banale, në biseda informative në polici, dy kryetarë komune që janë kryeqendrat e shqiptarëve në Maqedoni. Kanë filluar diferencimet politike si në kohën e komunizmit këtu, ai që mendon ndryshe largohet nga puna, ndërrohen drejtorët”, ka thënë ai në televizionin publik.

Sipas kryetarit të Çairit, krejt këto janë të qëllimshme dhe me prapavijë politike, sipas tij “kjo ndodh nga mllefi për shkak se nuk ka pasur takime me pushtetin qendror”.

“Një ditë para se të vijë kryeministri Albin Kurti, në një televizion nacional në gjuhën maqedonase gazetarja e pyet në çfarë cilësie vjen Kurti, ai e ka ditur sepse ne në shtete kemi paralajmëruar ardhjen, ai thotë se vjen në mënyrë private, ajo ishte shkak, ne jemi institucion dhe opozita pastaj doli me qëndrimet opozita maqedonase, doli kryeministri me qëndrim negativ ndaj vizitës me shumë lëshime, pastaj u kyç edhe presidenti, një ditë prapa edhe presidenti i Serbisë, të gjithë këto i shoh me një vijë”, ka thënë ai.

Ai ka përsëritur se vizita e Kurtit ka qenë shtetërore dhe e ditur për institucionet.

Ndërsa lidhur me emërimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair, Ganiu ka thënë se për t’i kaluar të gjitha procedurat kanë votuar edhe maqedonasit.

Për këtë rrugë, kryetarja e Shkupit ka thënë se duhet nismë ligjore për të ndërruar emrin meqë sipas saj është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Kjo kundërshtohet nga kryetari i Çairit i cili ka thënë se largimi i emrit të simbolit të rezistencës shqiptare nga ajo rrugë, është i pamundur.

Të premten, Kurti ka qëndruar në Maqedoni të Veriut me ftesë të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami dhe atij të Çairit, Visar Ganiu.

Ai ka marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit “Adem Demaçi” në Çair, si dhe në një përurim në Tetovë.

Pas vizitës së tij ka pasur shumë reagime, ndër të cilat edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i cili ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite, për shkak të ikonografisë shqiptare të përdorur gjatë manifestimeve.

Pas kësaj janë ngritur kallëzime penale kundër dy kryetarëve për “shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore”, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 11 gusht.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024