Kryengritësit nisin ofensivë në Siri, vritet gjenerali iranian - rusët bombardojnë
Bota
Lexohet për: 3 min.
Kryengritësit nisin ofensivë në Siri, vritet gjenerali iranian - rusët bombardojnë
Foto Arkivë
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Rebelët sirianë kanë nisur një ofensivë të befasishme në veri të vendit në një përpjekje për të përfituar nga përpjekjet e Izraelit, i cili ka shënjestruar aleatët e Iranit në rajon prej muajsh.

Pas suksesit të kufizuar në vitet e fundit, rebelët tani kanë kapur rreth 40 qytete dhe fshatra të kontrolluara nga forcat qeveritare, si dhe një bazë ushtarake siriane.

Rebelët kanë avancuar në drejtim të Alepo, qyteti i dytë më i madh i Sirisë, i cili ka qenë nën kontrollin e qeverisë së Assad-it dhe milicisë pro-iraniane qe nga 2016. Rebelët thonë se ofensiva filloi për të frenuar qeverinë siriane dhe "milicinë iraniane" e cila ka "shpallur luftë të hapur" kundër popullit sirian.

Operacioni i papritur shënon konfliktin e parë të madh midis rebelëve sirianë dhe regjimit qe nga marsi 2020, kur Rusia dhe Turqia ndërmjetësuan një armëpushim.

Gjatë muajve të fundit, Irani ka parë se si aleati i tij Hezbollah ka pësuar sulme të ashpra ajrore dhe tokësore izraelite. Grupi militant, i cili u vlerësua se ndihmoi për të shpëtuar regjimin e Assad-it nga rebelët sirianë, tani është dobësuar rëndë dhe shumica e udhëheqësve të tij janë vrarë.

Fraksionet e opozitës njoftuan ofensivën në kanalin e tyre Telegram dje, duke e quajtur atë "agresion parandalues" dhe duke pretenduar se ishte në përgjigje të bombardimeve të fundit artilerie nga regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad në provincën Idlib.

Një burim turk i sigurisë për CNN, paralajmëroi se rebelët filluan atë që supozohej të ishte një "operacion i kufizuar" kundër Assad pasi ushtria siriane dhe milicia aleate sulmuan qytetin e kontrolluar nga rebelët, Idlib, duke vrarë mbi 30 civilë.

Ai shtoi se rebelët e zgjeruan operacionin pasi forcat e regjimit u larguan nga qytetet përreth Alepo. Media shtetërore iraniane njoftoi se gjenerali i Gardës Revolucionare Islamike Kioumars Pourhashemi, këshilltar i lartë ushtarak i Iranit në Siri, u vra në Alepo.

Avionët luftarakë rusë dhe sirianë bombarduan sot Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga rebelët për të zmbrapsur ofensivën rebele. Analistët thonë se rebelët po përdorin vakumin e lënë nga Hezbollahu për të avancuar në Siri.

"Rebelët shohin një mundësi për të testuar linjat e frontit me Hezbollahun të dobësuar, Iranin nën presion dhe Rusinë e preokupuar me Ukrainën... Rebelët u befasuan nga suksesi i tyre dhe u shtynë më shumë se sa pritej," tha Nanar Hawach, analist nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave në Siri.

Hezbollahu ndihmoi Assad për të rimarrë territorin, por dobësimi i tij erdhi pasi Izraeli ka vrarë liderin Hassan Nasrallah dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë të grupit pro-iranian.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025