A do të dërgojë Franca ushtarë në Ukrainë, flet ministri Barrot
Shefi i diplomacisë së Francës Jean-Noël Barrot deklaroi sot se vendi i tij do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, pasi siguria në Evropë po kërcënohet gjithnjë e shumë me avancimin ushtarak rus në territorin ukrainas.
Barrot tha për BBC se Ukraina mund të godasë me raketa franceze Rusinë "në vetëmbrojtje", por nuk konfirmoi nëse armët franceze ishin përdorur tashmë.
Ai shtoi se aleatët perëndimorë nuk duhet të vendosin asnjë kufizim në mbështetjen për Ukrainën dhe "të mos shprehin vija të kuqe".
I pyetur nëse kjo mund të nënkuptojë edhe trupat franceze në luftime, ai tha: "Ne nuk po përjashtojmë asnjë opsion."
"Ne do të mbështesim Ukrainën aq intensivisht dhe për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Pse? Sepse siguria jonë është në rrezik. Sa herë që ushtria ruse përparon me një kilometër katror, kërcënimi i afrohet Evropës me një kilometër katror," tha ai.