Kryeministri Albin Kurti takohet me medalistët e Lojërave Mesdhetare
Lexohet për: 2 min.
293596296_7731915553547083_3318198556431999971_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Medalistët e Lojërave Mesdhetare Oran 2022, në krye me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, janë pritur të hënën nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili shoqërohet nga ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrullah Çeku dhe zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani.

Të pranishëm në takim ishin edhe drejtuesit e Federatave të Xhudos së Kosovës (FXHK) dhe Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK), Agron Kuka dhe Enver Krasniqi, trajneri i xhudos, Driton Kuka, dhe ai i boksit, Besim Brahimi, si dhe sekretari i përgjithshëm i FBOXK, Latif Demolli.

Ekipi ynë fitoi gjashtë medalje në Oran 2022, pesë nga xhudo dhe një nga boksi. Të artat i fituan xhudistet Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Laura Fazliu, ndërsa të bronztat xhudistët Akil Gjakova e Flaka Loxha dhe boksieri Shpejtim Bajoku.

Kryeministri Kurti përgëzoi ekipin për suksesin e arritur, duke thënë se sportistët vazhdojnë ta bëjnë krenarë vendin tonë me paraqitjet e tyre në garat ndërkombëtare, derisa vlerësoi lartë rritjen e numrit të medaljeve nga katër vjet më parë, kur numri i medaljeve të fituara në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018 ishte katër, të gjitha nga xhudo.

Presidenti Ismet Krasniqi theksoi se përkundër që Algjeria nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, mikpritja e tyre ishte tejet e ngrohtë, ndërsa simbolet tona shtetëtore ishin kudo, duke mos hasur as në më të voglin problem.  Tutje, i pari i KOK-ut, shtoi se numri i rritur i medaljeve nga Tarragona 2018, jep shpresë se edhe në Lojërat Olimpike Paris 2024 numri i medalistëve do të rritet nga Tokio 2020.

Për paraqitjen e ekipit tonë dhe suksesin e arritur folën edhe kryetarët e federatave, trajnerët, por edhe sportistët, të cilët janë optimistë për suksese të reja në arenën ndërkombëtare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025