Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca e ka kritikuar Komunën e Prishtnës për dështim në menaxhimin efektiv të mbeturinave.
Kritika doli gjatë shpalosjes së Planit Vjetor Auditues 2025/2026, ku u has ngecje pothuajse në të gjitha nivelet dhe nga të gjitha palët.
Spaca ka hedhur përgjegjësi edhe tek bordi i drejtorëve të KRM “Pastrimi”, i cili sipas saj nuk ka ushtruar mbikëqyrje efektive mbi veprimtarinë e kësaj kompanie.
“Disa nga shkaqet që i kanë kontribuar kësaj gjendjeje janë, Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi”, që është përgjegjës për vendimet strategjike dhe mbikëqyrjen e Kryeshefit Ekzekutiv, nuk ka ushtruar mbikëqyrje efektive mbi veprimtarinë e KRM-së, sepse në takimet e Bordit nuk ishte trajtuar pothuajse asnjëherë problematika aktuale e mbeturinave në qytet. Në vend të kësaj Bordi ishte marrë me çështje tjera si çështje financiare dhe administrative”, tha ajo.“Komuna kishte lidhur dy kontrata brenda vitit 2024 për furnizim me kontejnerë në vlerë afër 747 mijë euro, të dedikuar për KRM Pastrimi. Deri në tetor 2025 në KRM Pastrimi janë pranuar gjithsej 2,883 kontejnerë nga gjithsej 3,840 sa ishin blerë. Për momentin janë afër 900 kontejnerë dhe shporta të cilat ende nuk janë shpërndarë nëpër pika të grumbullimit të mbeturinave dhe vazhdojnë të qëndrojnë të papërdorur (në Qendrën e Kompostimit). Në shumë pika të grumbullimit vërehen kontejnerë të dëmtuar të cilët janë jashtë funksionit. Këta kontejnerë nuk largohen dhe nuk zëvendësohen me të rinj. Dëmtimi i këtyre kontejnerëve shpesh ka ndodhur nga pakujdesia dhe mungesa e njohurive të stafit gjatë zbrazjes. Stafi operativ nuk ka pasur njohuri të mjaftueshme për përdorimin dhe zbrazjen e kontejnerëve duke shkaktuar dëmtime të shpeshta”, shtoi Spanca.
Tutje, ajo vlerësoi se angazhimi i operatorëve privatë për grumbullimin e mbeturinave i ka kushtuar shtrenjtë Komunës së Prishtinës.
Në fund, Auditorja e Përgjithshme njoftoi se gjatë këtij sezoni auditues janë planifikuar 145 auditime dhe deri tani janë publikuar 24 raporte.