Federata e Pingpongut e Kosovës (FPPK) është zhytur në një krizë institucionale, teksa dy tentime radhazi për mbajtjen e Kuvendit të Rregullt të Punës kanë dështuar. Kryetari aktual i federatës, Jeton Oruqi, akuzon paraardhësit të tij, Nehat Çitakun, duke e fajësuar atë për bllokadë të qëllimshme të punës së federatës.
Oruqit për KosovaPress ka thënë se dështimi i kuvendeve është pasojë e përpjekjeve të ish-kryetarit Çitaku për të mbledhur rreth vetes një grup anëtarësh të pakënaqur me reformat e ndërmarra, me synimin e vetëm për të paralizuar funksionimin e FPPK-së, derisa ky i fundit thekson se në Federatën e Pingpongut ka mostransparencë të madhe, si financiare ashtu edhe organizative.
“Ajo çfarë ne synojmë të arrijmë përmes këtij kuvendi është miratimi i buxhetit për vitin 2026, miratimi i kalendarit të garave. Kemi bërë reformë strukturore në mënyrën se si do të organizohen garat, kemi reduktuar numrin e aktiviteteve që të mund të kenë më shumë kohë sportistët të punojnë në klubet e tyre dhe dhe ta ngrisin performancën e tyre, si dhe ndër të tjera kemi paraparë edhe ndryshime statutore të cilat e ngrisin nivelin e përgjegjësisë, si për kryetarin, po ashtu edhe për anëtarët e bordit dhe stafin e administratës së federatës. Me gjasë, këto hapa nuk është që po i shkojnë përshtati të gjithëve, sidomos personit në fjalë (Nehat Çitaku), të cilin edhe e përmenda, dhe është një diçka që po tentohet të bllokohet kjo punë edhe krejt këto iniciativa të cilat çojnë në reformimin e administratës së federatës edhe mënyrës se si operon pingpongu në Kosovë”, theksoi Oruqi.
Sipas Çitakut, lista e kërkesave të refuzuara është e gjatë dhe prek disa nga çështjet më të ndjeshme të menaxhimit të federatës. Grupi i pakënaqur kërkon raporte të detajuara financiare, përfshirë historikun e llogarisë bankare dhe një raport të plotë mbi shpenzimet për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare si ËTT Youth.Përballë këtij bllokimi, Çitaku zbulon se më shumë se një e treta e delegatëve kanë dorëzuar zyrtarisht një mocion mosbesimi kundër kryetarit. Sipas statutit, federata është e obliguar që brenda tri javësh të thërrasë një kuvend të jashtëzakonshëm ku do të votohet për shkarkimin ose jo të kryesisë aktuale.
“Ne e kemi dorëzuar kërkesën për mocionin për votëbesim të kryetarit, të cilin sekretari, sipas statutit duhet ta organizojë brenda tri javësh. Kështu që, me nënshkrimin e më shumë se një të tretën e delegatëve, së shpejti, domethënë brenda tri jave duhet të mbahet edhe kuvendi, jo zgjedhor, por për votëbesim, mocion për postin e kryetarit dhe strukturave të tjera udhëheqëse. Arsyeja pse e kemi bërë këtë është mostransparenca, keqmenaxhimi i federatës,
Krejt këtë situatë në Federatën e Pingpongut po e vëzhgon Minsitria e Rinsië dhe Sportit e cila po kërkon që kjo situatë të zgjidhet përmes mekanizmave statutarë të federatës.
Ndërkohë që përpjekja e tretë për mbajtjen e kuvendit është caktuar për të hënën, e ardhmja e pingpongut kosovar mbetet peng i përplasjeve për pushtet, duke vënë në rrezik zhvillimin e sportit dhe organizimin e garave. A. Bytyqi.