Trajneri i përkohshëm i Tottenhamit, Igor Tudor, është përfshirë në një stuhi kritikash pas vendimit për të zëvendësuar portierin 22-vjeçar, Antonin Kinsky, vetëm 17 minuta pas nisjes së debutimit të tij në Champions League kundër Atletico Madridit
Pas dy gabimeve trashanike që i kushtuan skuadrës tre gola të pësuar shpejt, Tudor e largoi çekun nga fusha, por ajo që irritoi më shumë opinionin ishte injorimi total që trajneri i bëri lojtarit teksa ai po largohej i përlotur drejt tunelit.
Përveç kritikave të ashpra nga Steve McManaman, i cili e cilësoi trajtimin e Kinsky-t si "më të keqin e mundshëm", portieri ka gjetur mbështetje të madhe nga kolegët e tij në rrjetet sociale. Ish-ylli i Manchester United, David de Gea, i doli në mbrojtje të riut duke shkruar: "Askush që nuk ka qenë portier nuk mund ta kuptojë se sa e vështirë është kjo pozitë. Mbaje kokën lart dhe do t'ia dalësh përsëri."
Ndërkohë, situata te Spurs mbetet alarmante, me katër humbje radhazi nën drejtimin e Tudorit dhe me një listë të gjatë lndimesh përpara sfidës së vështirë kundër Liverpoolit këtë fundjavë.