Kreu i Konferencës së Sigurisë së Munihut, Christoph Heusgen, ka deklaruar sot se nuk mund të përjashtohet një sulm rus ndaj një anëtari të NATO-s.
Ai në komentet e botuara të shtunën, disa ditë para fillimit të mbledhjes së liderëve botërorë dhe ekspertëve të mbrojtjes, tha se presidenti rus Vladimir Putin mund të urdhëronte një sulm të tillë.
“Nëse Putin nuk e humb luftën në Ukrainë, ne duhet të kemi parasysh se ai mund të rrëmbejë Moldavinë ose republikat baltike”, tha ai.
Heusgen nuk pranoi të spekulojë se çfarë do të ndërmerrte Putin. "Por ne duhet të bëjmë gjithçka për të siguruar që Ukraina të marrë armët dhe ndihmën ushtarake që i nevojitet për t'i rezistuar me sukses agresorëve rusë dhe për t'i dëbuar ata nga territori i saj kombëtar," tha ai.
Konferenca e Sigurisë në Munih do të mbahet në kryeqytetin bavarez nga 16-18 shkurt, me rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish të pritura. Rusia dhe Irani janë përjashtuar nga ftesat.