Krasniqi: Shkarkimi i ambasadorit Berishaj nuk mjafton, duhet hetim serioz
Lexohet për: 4 min.
0 Memli Krasniqi 2022 (3)
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka ngritur çështjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin kërkoi hetim serioz.

Kraniqi tha se në vend që sot në këtë seancë të diskutohej për të arriturat e kësaj qeverisje, po diskutojnë për dështime në të gjithë sektorët.

Kreu i PDK-së u shpreh se krerët shtetëror po tentojnë ta heshtin skandalin e ambasadorit Berishaj.

“Fatkeqësisht nuk mund ta bëjmë dhe kjo për dy arsye e para jo vetëm që nuk ka progres në asnjë sektorë, por ka regres dhe degradim të secilit prej tyre që nga shëndetësia, tek diplomacia, njohjet e çdogjë tjetër. Dhe e dyta ka disa muaj që kjo Qeveri e kryeministri në veçanti që nuk po ka guxim që të ta trajtoj një virus helmues për shtetin. Më 21 prill të vitit të kaluar mediet sllovene raportuan për skandalin e madh financiar në të cilin ishte përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që fiks 273 ditë, dy gjëra diametralisht të kundërta e kanë karakterizuar këtë skandal, e para për 9 muaj raportimet për aferën Martin Berishaj kanë ardhur duke u shtuar faktet, duke u zbuluar akuzat, duke u ngritur dyshimet, duke gjetur rrugë deri tek kryeministri, Albin Kurti e Lëvizja Vetëvendosje, e dyta reagimi institucional nga kryeministri, presidentja e ministrja e MPJD në shpërputhje me zhvillimet e seriozitetin e këtij rasti, kanë ardhur duke u zvogëluar, duke tentuar që përmes heshtjes, mostransparencës dhe papërgjegjësisë, ta heshtin, fshehin apo tejkalojnë këtë situatë. Por po gabojnë aq shumë sa vetëm po e konfirmojnë se edhe vetë janë të përfshirë“, u shpreh Krasniqi.

Lideri i PDK-së kërkoi që shefi i ekzekutivit të ishte në sallën e Kuvendit të Kosovës për t’iu përgjigjur disa pyetje për ambasadorin Berishaj.

“Ky skandal i madh korrupsioni jo vetëm që ka dëmtuar reputacionin e diplomacisë së shtetit tonë...Kryeministri duhet të vijë këtu në shtëpinë e popullit, para mijëra njerëzve që na shohin e t’u përgjigjet disa pyetjeve në mesin e tyre janë edhe këto pyetje: si mundet dikush me marrë nënshtetësinë në një ditë edhe qysh të nesërmen me u emëruar ambasador në një nga postet më të nderuara që mund ta jep një shtet. Si e mori dritën e gjelbër Martin Berishaj nga organet e inteligjencës së Kosovës, si është e mundur që pas gjithçka që dimë tash ministrja e Punëve të Jashtme deklaroi pikërisht këtë javë se ajo i beson MartinBerishaj, ende e jofakteve të panumërta. Si është e mundur që ambasadori Martin Berishaj është ende në detyrë dhe nuk është shkarkuar e as nuk është thirr në Kosovë për hetim të mëtejme...çka po e ndal a është duke e ndal Martini vetë që mbrapa ambasadorit Martin Berishaj fshihet lidhja e thellë e këtij pushteti me mafinë energjetike të rajonit tashmë edhe ju tashmë shumë deputetë të mazhorancës e dini dhe prandaj iu takon që të flisni”, tha ai.

Kreu i PDK-së u shpreh se tashmë shkarkimi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj nuk mjafton.

Ai kërkoi hetim serioz për këtë rast nga organet e drejtësisë.

“Tashmë është vonë dhe  shkarkimi i ambasadorit Berishaj nuk mjafton, duhet të bëhet hetim serioze dhe t’u jepet përgjigje këtyre pyetjeve juridikisht, politikisht dhe moralisht. Martin Berishaj duhet të sillet para drejtësisë dhe kushdo qoftë që është në këtë piramidë“, tha ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025