Krasniqi: Në Taranto 2026 marrim pjesë me numër rekord të sportistëve
5-Fifth
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Krasniqi: Në Taranto 2026 marrim pjesë me numër rekord të sportistëve
Ismet-Krasniqi-130726
13/07/2026 - 20:19
Linku u kopjua

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka deklaruar se i gjithë angazhimi i institucionit që ai drejton është përqendruar te Lojërat Mesdhetare "Taranto 2026", të cilat i cilësoi si hapin e fundit para se vëmendja e botës sportive mesdhetare të zhvendoset në Kosovë, nikoqire e edicionit të vitit 2030.

Në SportCast, Krasniqi tha se javët e fundit janë shfrytëzuar intensivisht për përgatitjet e delegacionit kosovar për Taranton.

Krasniqi: Fokusi kryesor është tek Lojërat Mesdhetare në Taranto

"Javët e fundit jemi në përgatitje për Lojërat Mesdhetare Taranto 2026. Ajo është fokusi ynë kryesor sepse e dini që tash pas Tarantos nikoqir i radhës është Kosova. Do të thotë edhe kjo është mesdhetari i fundit të themi që është fol deri tash nëpër tre kontinente. Mbas lojërave në Itali që do të kryhen, atëherë fokusi do të jetë krejt në Kosovë edhe krejt këto shtete të cilat do të jenë pjesëmarrëse për katër vjet të radhës do të flasin vetëm për Kosovën, do të përgatiten për Kosovën, do të angazhohen me sportistët e tyre për Kosovën, kështu që Kosova do të jetë fokus i këtyre shteteve mbas Tarantos", theksoi Krasniqi.

Ai bëri të ditur se Kosova do të paraqitet në Itali me delegacionin më të madh në historinë e pjesëmarrjes së saj në Lojërat Mesdhetare.

Krasniqi: Në Taranto marrim pjesë me 200 sportistë

"Është një rekord numër i sportistëve që do të marrin pjesë prej Kosovës. Total numër diku rreth 200 sportistë, mirëpo krejt ekspedita të themi me trajnerë, me përfaqësues, me përcjellës të këtyre sportistëve të federatave të ndryshme sportive do të jemi rreth 300 pjesëmarrës. Kështu që defilimi në këto lojëra i Kosovës do të jetë shumë i bukur edhe për shikuesit tanë dhe për qytetarët tanë që do ta shohin live. Kjo është vërtet një ngjarje shumë e rëndësishme për Kosovën sepse ne, meqenëse do të jemi nikoqir i radhës, duhet të jemi prezent me numër të madh. Po padyshim që kemi zgjedhur lojtarë shumë të mirë, federatat janë duke punuar, janë duke u përgatitur nëpër kampe të ndryshme. Besoj që do të kemi rezultate, synimi jonë është të kemi sa më shumë rezultate dhe të thyejmë rekordin tonë në pjesëmarrje në Lojërat Mesdhetare", shtoi ai.

Krasniqi theksoi se përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, institucioneve shtetërore dhe Komunës së Prishtinës do ta shfrytëzojnë qëndrimin në Taranto edhe për të analizuar nga afër organizimin e lojërave, në mënyrë që përvoja e fituar të shërbejë për organizimin sa më të suksesshëm të Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030".

Krasniqi: Do ta përcjellim me vëmendje zhvillimin e lojërave në Taranto

"Normal që do të kemi takime edhe meqenëse jemi edhe prej Komitetit Olimpik, edhe prej komunës së Prishtinës, edhe prej Ministrisë për Rini dhe Sport, prej Qeverisë së Kosovës, do të ketë përfaqësues të krejt këtyre të cilët janë pjesë e organizimit të Lojërave Mesdhetare. Edhe normal që tash me syrin tonë e shohim pak më ndryshe. Me siguri do t'i shohim ato të mirat që do t'i kenë ata, edhe ato gabime që do t'i bëjnë me siguri, nëse do të ketë gabime, ne do t'i mësojmë nga gabimet që mos të na ndodhin neve në Kosovë. Do të thotë, ne do të shkojmë edhe të marrim pjesë si përfaqësues në këtë garë shumë të rëndësishme, mirëpo njëkohësisht ne do të fokusohemi që të shohim se si po shkon mbarëvajtja e këtyre garave", u shpreh Krasniqi në SportCast.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026