Krasniqi kërkon nga von Cramon të avokojë për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës
Lexohet për: 3 min.
419355399_883473726484692_3163984046875722471_n
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka kërkuar nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon që të avokojë për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës.

Ai gjatë një takimi sot tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të penalizohen padrejtësisht si “pasojë e papërgjegjësisë politike të qeverisë të paaftë”.

“Bashkë diskutuam për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vendin tonë, duke mos lënë anash as procesin e Integrimit evropian të Kosovës. Raportuesen von Cramon e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian në përgjithësi, por edhe ajo veçanërisht, i ka dhënë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

BE njoftoi në korrik 2023 për masat ndëshkuese ndaj Qeverisë së Kosovës, për shkak se nuk janë ndërmarrë veprime për uljen e tensioneve në veri. BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë, përveç atyre të fokusuara për diskutimin e krizës në veri në kuadër të dialogut.

Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të programit IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WIBF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor.

Sipas BE-së për këto masa Qeveria është njoftuar më 28 qershor. Masat janë të revokueshme në varësi të zhvillimeve dhe vendimeve të kryeministrit Kurti.

Ky i fundit masat e BE-së për Kosovën i ka quajtur të padrejta, duke thënë se "Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”.

Tensionet në veri nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë protestuan duke mos njohur kryetarët shqiptarë në komunat  e tyre. BE dhe SHBA kanë kërkuar veprime nga Qeveria e Kosovës, që janë zgjedhjet e reja në katër komunat veriore dhe rikthimi i palëve në tryezën e dialogut.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025