Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës së re ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Specialja në Hagë.
Krasniqi ka thënë se kjo aktakuzë e re ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore nga Gjykata Speciale.
“Njoftimi i fundit nga Zyra e Prokurorit Special, se Presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim, ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore. Këto shqetësime thellohen më tej nga arrestimi i tri personaliteteve të tjera, si dhe nga fletëthirrja për paraqitje para Dhomave të Specializuara për z. Hajredin Kuçi”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shkruar se i mbështesin fuqishëm parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, ‘por një pyetje e thjeshtë dhe kritike ngrihet sonte: A po reflekton ky proces drejtësie paanshmërinë dhe profesionalizmin që Kosova, qytetarët e saj dhe çlirimtarët tanë në Hagë e meritojnë?’Më tej ai ka shkruar se “Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi, derisa qëndrojmë fuqishëm kundër çdo veprimi që cenon këtë parim themelor dhe të paprekshëm për secilin qytetar të Kosovës”.
Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj, ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu janë transferuar sot për në Hagë, nga zyret e EULEX-it, ku janë mbajtur nga dita e djeshme.