Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar dërgimin e materialeve të ndjeshme zgjedhore në komunat e Kosovës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.
Sipas KQZ-së, në mesin e materialeve që po shpërndahen janë fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve dhe vulat zyrtare, të cilat do të ruhen në Qendrat Komunale të Numërimit dhe më pas do të transportohen në qendrat e votimit para hapjes së procesit zgjedhor.
Për zgjedhjet e 7 qershorit janë prodhuar gjithsej 1.778.300 fletëvotime. Nga ky numër, pjesa më e madhe është dedikuar për vendvotimet e rregullta, ndërsa pjesa tjetër për votimin me kusht, nevojat rezervë dhe votuesit me nevoja të veçanta.
KQZ ka bërë të ditur se numri i fletëvotimeve të shtypura mbetet më i ulët se numri i qytetarëve me të drejtë vote, praktikë e cila bazohet në përvojën dhe statistikat e pjesëmarrjes në zgjedhjet e kaluara.KQZ ka njoftuar se të gjitha materialet dhe pajisjet e nevojshme tashmë janë përgatitur, duke synuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha komunat e vendit.