KPK reagon ndaj Kurtit dhe ministrave: Deklaratat janë shantazhuese dhe linçuese
Lexohet për: 4 min.
KPK
1 vit më parë
Linku u kopjua

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i vlerëson tendencioze, të pavërteta, linçuese dhe shantazhuese e nënçmuese deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave nga kabineti qeveritar, të bëra pas arrestimit të tre të dyshuarve për keqpërdorim të rezervës shtetërore.

KPK i bënë thirrje kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit.

“KPK-ja, thekson në mënyrë të qartë dhe të palëkundur se deklaratat dhe akuzat e tilla të pabaza dhe qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në reagim.  

Gjithashtu, KPK-ja, deklaron se do të mbështesë fuqishëm dhe do të mbrojë me të gjitha mjetet juridike-ligjore, që ka në dispozicion, punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Kosovës dhe, më këtë rast, u bën thirrje publike të gjithë faktorëve, në veçanti, Qeverisë së Kosovës që të qëndrojë larg deklaratave të tilla, tentativave për ndërhyrje dhe presione të drejtpërdrejta dhe të kota, që bien në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Prandaj, KPK-ja dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e Kryeministrit dhe ministrave të tij, duke theksuar se këto deklarata janë krejt të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë”, thuhet më tej në reagim.

Po ashtu në reagim thuhet se Këshilli Prokurorial është i përkushtuar me të gjithë mekanizmat e tij që të punojë, mbrojë dhe avancojë çdo vlerë të integritetit, dinjitetit dhe transparencës publike, si dhe të luftojë çdo tendencë për presion dhe ndërhyrje nga ana e kujtdoqoftë.

“KPK-ja bën thirrje që Prokurori i Shtetit, puna dhe misioni i tij, të jenë jashtë çdo agjende të politikës ditore, sepse vlerësimi i punës së prokurorëve nuk varet nga vullneti i individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara dhe as këto deklarata dhe veprime jokorrekte, joetike dhe të padinjitetshme nuk do të arrijnë të zbehin punën e prokurorëve”.

KPK-ja potencon se Prokurori i Shtetit, si pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, do të punojë intensivisht për ndriçimin deri në fund të të gjitha rasteve në punë, ndaj të gjithë atyre zyrtarëve të dyshuar dhe të veshur me pushtet, pavarësisht tentativave për ndërhyrje, duke vënë në pah përfundimisht dhe me konsekuencë se pavarësia e sistemit prokurorial është thelbësore dhe e rëndësishme në rrugën që kemi përpara.

https://kosovapress.com/admin/kurti-nuk-ka-keqperdorime-te-korruptuarit-i-gjeni-tek-elita-e-vjeter-politike-dhe-gjykates/
https://kosovapress.com/admin/shoqata-e-prokuroreve-reagon-ndaj-muratit-akuzat-e-tij-jane-shpifje/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024