Kosovë-Shqipëri me qëndrime të përbashkëta, Hoxha: Çdo dhimbje e Kosovës ndihet në Shqipëri
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kosovë-Shqipëri me qëndrime të përbashkëta, Hoxha: Çdo dhimbje e Kosovës ndihet në Shqipëri
13b0148b-ae39-4f06-a407-064aba914098
31/05/2026 - 13:24
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri i Parë në detyrë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, mbajtën një konferencë të përbashkët për media pas takimit të zhvilluar në Prishtinë, ku diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, integrimin euroatlantik dhe zhvillimet politike në rajon.

Konjufca tha se koordinimi i politikës së jashtme ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është ndër proceset më të lehta dhe më natyrale për të dy shtetet.

“Të koordinosh politikën e jashtme në mes Kosovës dhe Shqipërisë është gjëja më e lehtë. Kjo është një arritje shumë e madhe”, deklaroi ai.

Ai vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë në proceset ndërkombëtare të Kosovës, duke bërë të ditur se i ka kërkuar ministrit Hoxha angazhim për një afrim më të përshpejtuar të Kosovës me NATO-n.

“Kordinimi i shteteve tona është jetik, edhe nga ana jonë, edhe nga ana e Shqipërisë”, theksoi Konjufca.

Duke folur për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, ai tha se qershori kishte qenë një afat i mundshëm, por zhvillimet zgjedhore kanë ndikuar në shtyrjen e saj.

“Kjo ide nuk duhet të humbet, por do të shtyhet deri në formimin e institucioneve të reja, kur edhe do të krijohen kushtet për mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, ministri shqiptar Ferit Hoxha tha se Shqipëria mbetet e gatshme për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët dhe se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve vetëm do të forcohet.

“Diskutimet tona ishin të sinqerta dhe vëllazërore, sepse vetëm të tilla mund të jenë mes Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Hoxha.

Ai theksoi se çdo zhvillim në Kosovë ndihet edhe në Shqipëri.

“Çdo dhimbje e Kosovës ndihet në Shqipëri, ashtu siç ndihet çdo sukses i saj”, deklaroi ministri shqiptar.

Sa i përket rrugës evropiane të Kosovës, Hoxha tha se aplikimi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian nuk duhet parë si favor.

“Pranimi i aplikimit të Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat nuk është dhuratë, por një mundësi për një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të begatë”, tha ai.

Ministri shqiptar foli edhe për aspektin e sigurisë, duke kërkuar që autorët e sulmit terrorist në Banjskë të përballen me drejtësinë.

“Shqipëria nuk do të pranojë dhe nuk do të tolerojë asnjëherë cenimin e sigurisë së Kosovës. Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”, deklaroi Hoxha.

Ai komentoi gjithashtu iniciativat për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, duke i cilësuar ato si të shkëputura nga realiteti politik.

“Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe nuk do të ndikohet nga thirrje të tilla”, tha ai.

Në fund, Hoxha u ndal edhe te zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, duke shprehur shpresën që ato të prodhojnë institucione funksionale, siç pret Shqipëria dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

Pas konferencës, dy ministrat bënë homazhe pranë Memorialit të Heroinave.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026