Agjencia e lajmeve KosovaPress sot shënon 24-vjetorin e fillimit të punës. KosovaPress u themelua më 4 janar 1999, si një si një nevojë e kohës për të informuar lidhur me zhvillimet në Kosovë, duke dhënë kontribut të madh në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën çlirimtare, krimet serbe dhe bombardimet e NATO-s.
Gjatë periudhës së luftës, KosovaPress publikoi lajme në gjuhën shqipe, angleze, gjermane dhe frënge.
Në shtator 2000, KosovaPress nisi rrugëtimin e saj si agjenci e pavarur e lajmeve. Fillimi ishte i vështirë dhe luftohej për mbijetesë, ndërsa më pas, fal këmbënguljes, nisi edhe periudha e zhvillimit dhe vit pas viti, edhe zgjerimit të produkteve.
Në vitin 2002, KosovaPress kaloi në sistemin me parapagim, fillimisht në gjuhën shqipe, e prej vitit 2005, rifilloi publikimet edhe në gjuhën angleze, ndërsa, në 2007, edhe në gjuhën serbe dhe turke.
KosovaPress në përvjetorin e 17 të punës, prezantoi produktin e saj më të ri e që ishte transmetimi i drejtpërdrejt i ngjarjeve. Transmetimet e drejtpërdrejta u realizuan me teknologjinë më të re, përmes kamerave 4K. Investimi i vazhdueshëm në teknologji i lejon sot KosovaPress-it, të bëjë deri në 10 transmetime “live”, në të njëjtën kohë, si dhe me regji.
Kur KosovaPress kremtoi dy dekada punë, u prezantua edhe Departamenti i Produksionit, i cili kujdeset për realizimin e emisioneve edukativo-argëtuese, siç është emisioni për fëmijë “Foleja”, si dhe emisioni “Cult”.
Në vitin 2019, KosovaPress mori pjesë për herë të parë duke e përfaqësuar Kosovën, edhe në kongresin botëror të agjencive të lajmeve që zhvillohet çdo tre vjet.
Në shtator të vitit 2021, KosovaPress organizoi suksesshëm Asamblenë e Përgjithshme të ABNA-SE, duke sjell në Prishtinë agjencitë ballkanike të lajmeve dhe të Evropës Juglindore, ku për pothuajse një javë u diskutua për rolin e tyre në periudhën post-COVID, me ç’rast edhe iu besua roli i presidencës njëvjeçare.
Po gjatë vitit të kaluar, KosovaPress aplikoi në rrjetin e agjencive të lajmeve të Evropës dhe më 30 shtator 2022, zyrtarisht është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA). https://www.newsalliance.org/
Kjo ishte një ditë e jashtëzakonshme edhe për mediat dhe Republikën e Kosovës.
Me këtë anëtarësim, KosovaPress-it, i hapën edhe më shumë rrugët për të bashkëpunuar me të gjitha Agjencitë e Lajmeve të Evropës dhe falë këtyre marrëveshjeve, mediat dhe lexuesit, do të kenë më shumë lajme nga këto vende në të gjitha fushat.
Kjo është tani organizata më e rëndësishme në të cilën bën pjesë KosovaPress, duke e përmbyllë rrugën e anëtarësimit në rrjetin e Agjencive të Lajmeve të ballkanit dhe Evropës.
Agjencia e lajmeve KosovaPress, që nga funksionimi i saj si medium i pavarur, ka njohur rritjen e vazhdueshme, vit pas viti, ndërsa në vitet e fundit është përqendruar të ngre flamurin dhe të përfaqësojë shtetin e Kosovës në forumet dhe organizatat më të rëndësishme të agjencive të lajmeve.
Në dy hulumtimet e fundit, KosovaPress u shpall si agjencia me zero gabime, si dhe më e besueshmja. Ajo mbetet besnike e lajmit të vërtetë dhe të saktë, duke ofruar garanci për të gjitha mediat në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, rajon e më gjerë, në mënyrë që të gjitha produktet që ofrohen të kenë vetëm cilësi.
Përvjetori ynë i 24-të, do të sjellë të tjera investime dhe risi që do të jenë në shërbim të përmirësimit të cilësisë për atë çka ofrojmë për të gjithë klientët dhe ndjekësit tanë.
Falë përkushtimit, përgjegjësisë dhe saktësisë, mediumet më të mëdha e më të rëndësishme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, si dhe vende të tjera të rajonit e më gjerë, vazhdojnë t’i besojnë Agjencisë së lajmeve KosovaPress, duke bashkëpunuar ngushtë çdo ditë, tashmë për vite me radhë.
KosovaPress funksionon në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht.