Agjencia e lajmeve KosovaPress dhe agjencia italiane e lajmeve ANSA kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim lajmesh ku ne fokus do të jetë edhe përkrahja për biznese te dy vendeve tona.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes të enjten, pjesë e të cilës ishin edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu dhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, u tha se ky bashkëpunim do të forcojë edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Italisë ku është paraparë edhe qasja falas në lajme edhe për selitë diplomatike te dy vendeve.
“Duke pasur parasysh edhe zhvillimin në aspektin ekonomik dhe politik, KosovaPress mund të kontribuojë shumë, sidomos tek lajmet e rrejshme dhe kontributin që t’i ndihmojmë secilit biznes në aspektin ekonomik dhe politik. Këto do të jenë hapat tonë të bashkëpunimit mes ANSA-s dhe KosovaPress-it. Uroj që të jemi ne urë lidhëse mes dy shteteve që t’i ndihmojnë bizneseve italiane në Kosovë dhe të Kosovës andej. Po ashtu, edhe ambasadat të informohen sa më saktë për ngjarjet që ndodhin në vendet tona”, tha ajo.

Ndërsa, drejtori i ANSA, Stefano de Alessandri, tha se kjo ujdi do të përafrojë edhe më shumë dy vendet, por do t’i jep edhe qasje falas në lajme, selive diplomatike në Kosovë dhe Itali.
“Marrëveshja i ka dy pika, një në aspektin gazetaresk që është shkëmbimi i lajmeve tona. KosovaPress do t’i jap qasje direkt gazetarëve tanë në lajmet e tyre. Siç e kemi pa edhe në shumë raste të tjera kjo është një përafrim shumë i rëndësishëm midis dy vendeve tona. Me këtë marrëveshje është e paraparë furnizimi dhe qasja falas në lajme edhe për selitë diplomatike në vendet tona. Ndërsa pjesa e dytë ka të bëjë me aktivitetet e bashkëpunimit të profilit tregtar. Ka shumë kompani italiane që janë të pranishme në Kosovë, shumë prej tyre janë klientë tanë dhe ne do të jemi si një urë lidhëse që të ndihmojmë zhvillimin e tyre në Kosovës përmes KosovaPress-it dhe anasjelltas”, theksoi ai.
E lumtur me arritjen e kësaj marrëveshje u shpreh edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim.
Nga ana tjetër, ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, tha se marrëveshja do të përforcojë edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyeshme të Italisë me Kosovën.
“Jam shumë i lumtur që jam dëshmitarë i kësaj marrëveshje ndërmjet dy agjencive. Marrëveshja e sotme përcakton këtë bashkëpunim që do të strukturohet. Dy agjencitë datat e themelimit i kanë të ndryshme, por kanë një të përbashkët pasi linden në fund të dy konflikteve shkatërruese...Marrëveshja do të mundësojë që informatat e dy vendeve respektive të bëhen në mënyrë sistematike dhe të përforcojë edhe më tej të marrëdhënieve të shkëlqyeshme mes dy vendeve tona”, tha ai.