Kosova U19 po përgatitet për kualifikimet në Kampionatin Evropian Euro 2023
Lexohet për: 2 min.
6-Kosova U19
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U19 ka zhvilluar stërvitjen e radhës në kuadër të grumbullimit përgatitor në prag të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian “Malta 2023”.

“Dardanët” e rinj janë të pozicionuar në Grupin 3 të këtyre kualifikimeve së bashku me Ukrainën, Suedinë dhe Qipron, ndërsa të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Suedi më datat 17, 20 e 23 nëntor, raporton KosovaPress.

Du kombëtaret që përfundojnë dy pozitat e para të këtij grupi vazhdojnë tutje për në “Elite Round”, së bashku me skuadrën e tretë e cila do të jetë më e mira nga 13 grupet e kësaj faze eliminatore.

Trajneri i Kosovës u 19, Ramiz Krasniqi ka treguar se qëllimi i këtij grumbullimi ka qenë për të monitoruar nga afër formën aktuale të futbollistëve nga kampionati vendor.

“Në këtë grumbullim janë 80% futbollistë vendor dhe duam të shohim formën dhe përgatitjen e tyre. Fati i keq është se një grup i futbollistëve pas turneut në Itali kanë mbetur me menaxherët e tyre në kërkim të klubeve të ndryshme dhe kjo ka zgjatur gati tre muaj”, tha Krasniqi.

“Të njëjtit futbollistë nuk kanë qenë në kontinuitet të ndeshjeve, të përgatitjes fizike dhe automatikisht kjo është shfaqur në formën e tyre. I kam përcjell ndeshjet e tyre dhe u kam treguar se jam i pakënaqur dhe u kam kërkuar ta rikthejnë formën, sepse përndryshe nuk do të udhëtojnë në Suedi. E pikërisht ky grumbullim është një test për të parë e kanë rikthyer formën”, shtoi më tej përzgjedhësi i Kosovës U19.

Po ashtu, Krasniqi në fund tha se nuk ka shumë njohuri për kundërshtarët, por ka vlerësuar se Ukraina mund të jetë skuadra më e fortë e grupit në bazë të rezultateve të mëhershme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025