Kosova për herë të parë në Olimpiadën e Inteligjencës Artificiale
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Kosova për herë të parë në Olimpiadën e Inteligjencës Artificiale
AI 4
17/07/2026 - 15:41
Linku u kopjua

Republika e Kosovës do të marrë pjesë për herë të parë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Inteligjencës Artificiale (IOAI), e cila këtë vit do të mbahet në Astana të Kazakistanit nga 2 deri më 8 gusht 2026.

Në këtë olimpiadë që mbahet nën patronatin e UNESCO-s do të marrin pjesë mbi 105 shtete, kanë njoftuar organizatorët e IOAI.

Ekipi i Kosovës i prezantuar në faqen zyrtare të IOAI përbëhet nga katër nxënës: Vesa Greiçevci, Parid Haxholli, Enesa Kiçmari dhe Entela Mirena, të cilët udhëhiqen nga profesori Fiton Hoxha.

Pjesëmarrja e Kosovës merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak se Kazakistani ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe po ashtu Kosova ende nuk është anëtare e UNESCO-s. Megjithatë, në materialet dhe publikimet zyrtare të IOAI, Kosova është paraqitur plotësisht e barabartë me emrin, flamurin dhe ekipin e saj, përkrah vendeve dhe ekipeve të tjera pjesëmarrëse.

Përveç garave, nxënësit do të marrin pjesë në aktivitete edukative, ligjërata, vizita në qendra të teknologjisë dhe takime me pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.

Në mesin e sponsorëve zyrtarë ndërkombëtarë të IOAI janë kompani globale të teknologjisë si Google, Jane Street, IMC, Huawei, Galbot, DeepInfra, e të tjera.

Kazakistani ka ndërmarrë përgatitje të mëdha për organizimin e olimpiadës duke e shpallur vitin 2026 si Vit të Digjitalizimit dhe Inteligjencës Artificiale. Olimpiada në këtë shtet mbikëqyret nga Zyra presidentit të vendit.

Pjesëmarrja në këtë olimpiadë përbën një mundësi të rëndësishme për nxënësit kosovarë të përfaqësojnë Kosovën në një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare për talentët e rinj në teknologji.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026