Arbëreshë e kosovarë zbukurojnë me murale katundin “shqiptar” Pellagorio në Kalabri
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Arbëreshë e kosovarë zbukurojnë me murale katundin “shqiptar” Pellagorio në Kalabri
murali arbresh
12/06/2026 - 12:06
Linku u kopjua

Edicioni i parë i “Javës së Muraleve Arbëreshe”, i promovuar nga shoqata Fili Meridiani APS, u përmbyll, siç u vlerësua, me sukses në Pallagorio të Italisë, duke e shndërruar këtë komunitet arbëresh në “një galeri arti në qiell të hapur” dhe një pikë takimi mes Arbërisë dhe Kosovës.

Iniciativa u realizua edhe në bashkëpunim me Mural Fest Kosova dhe Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, nën patronazhin e Komunës së Ferizaj

Gjatë një jave, artistë nga Kosova realizuan murale që pasqyrojnë historinë, kulturën dhe identitetin e përbashkët arbëresh, duke krijuar ura simbolike mes dy brigjeve të Mesdheut. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, artistë, studiues dhe institucione lokale, duke forcuar bashkëpunimin kulturor dhe akademik ndërkombëtar.

Programi përfshiu punëtori për të rinjtë, tryeza diskutimi mbi rolin e artit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ekspozita fotografike e digjitale, si dhe aktivitete të shumta muzikore që promovuan traditën arbëreshe.

Një nga momentet më domethënëse ishte realizimi i një murali kushtuar Don Sergio Spezzano, figurë e njohur për angazhimin e tij në mbështetje të paqes gjatë luftës në Kosovë.

Organizatorët dhe autoritetet lokale shprehën vullnetin që kjo nismë të shtrihet edhe në komunitete të tjera arbëreshe dhe të kthehet në një manifestim të përvitshëm.

Presidenti i shoqatës Fili Meridiani APS, Ettore Bonanno, tha se manifestimi i tejkaloi pritshmëritë dhe dëshmoi fuqinë e artit si mjet bashkimi.

“Gjatë këtyre ditëve kemi parë se si arti u shndërrua në një mjet konkret pjesëmarrjeje, takimi dhe ndërtimi marrëdhëniesh. Rezultati më i rëndësishëm është ndërtimi i urave midis njerëzve, institucioneve dhe territoreve të ndryshme, duke konfirmuar se kultura mund të jetë një motor i fuqishëm dialogu dhe zhvillimi”, u shpreh Bonanno, sipas një njoftimi të Fili Meridiani, transmeton KosovaPress.

Sipas tij, “Java e Muraleve Arbëreshe” nuk është fundi i një projekti, por fillimi i një rrugëtimi afatgjatë për forcimin e identitetit arbëresh dhe bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar. /KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026