Pas takimit të kryenegociatorëve në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi u deklarua se Kosova është pajtuar me propozimin e BE-së për dinarin duke e quajtur propozim konstruktiv. Derisa sipas tij pala serbe ka kërkuar kohë shtesë.
Përmes një komunikate për media thuhet se ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë.Prononcimi i plotë për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pas takimit të mbajtur në Bruksel:
Ky takim as nuk ka qenë i fundit e as i pari për dinarin, mendoj që është koha e fundit që ta shmangni këtë gabim në informim. Takimi është për të trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës, brenda rregullores së BQK-së.
Ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, gjegjësisht pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje. Atyre i është bërë e qartë javën e kaluar që takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse ata janë të gatshëm të vijnë me ide për kompromis.
Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha. Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serb mund të marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe kanë punuar si avokatët të “Postanska Banka” dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licensimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes i palëve të përfshira.
Prapë pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel.
Ligjërisht në Kosovë, nuk ka “Postanska Banka” dhe një nga principet e dakorduara është zgjidhja të sigurojë legjitimitet në tërësinë e saj, rrjedhimisht diçka që nuk është legjitime nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Mendoj që kjo është bërë e qartë palës serbe dhe gjatë javës së kaluar e sot në mënyrë të qartë edhe nga z. Lajçak.