Kosova në prag të dy sfidave vendimtare drejt EuroBasket 2029, trajneri Loci ka “shqetësime’ me lojtarët
Tema
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kosova në prag të dy sfidave vendimtare drejt EuroBasket 2029, trajneri Loci ka “shqetësime’ me lojtarët
Basketbolli-foto
28/06/2026 - 11:53
Linku u kopjua

Kombëtarja e Kosovës në basketboll po përgatitet për ndeshjet vendimtare kualifikuese për parakualifikimet për FIBA EuroBasket 2029.

Njëra lojë është kundër Shqipërisë e tjetra ndaj Sllovakisë.

Por, situata brenda kampit dardan nuk është më e mira. Stafi teknik ka ngritur alarmin për mungesat e disa prej lojtarëve kryesorë, duke zbuluar një problematikë të thellë shqetësuese.

Në prag të përballjes me kuqezinjtë, është bërë e ditur se Kosova do të jetë pa disa nga yjet e veta.

Përzgjedhësi Bujar Loci është i shqetësuar për atë që po ndodh ndërsa kërkon që në të ardhmen, pjesëmarrja e lojtarëve të ftuar në kombëtare të jetë obligative.

“Po besoj që jemi gati, por marrë parasysh që kemi mungesa evidente të lojtarëve të cilët janë lojtarë kualitativë dhe lojtarë që janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për përfaqësuesen e Kosovës. Mirëpo ato mungesa kanë disa arsye objektive dhe subjektive të cilat duhet t'i pranojmë, dhe arsye për të cilat lojtarët ndoshta kanë pasur arsye objektive që nuk kanë ardhur. Mirëpo në të ardhmen duhet të fokusohemi më shumë që të jetë në një farë mënyre obligative që të vihet në përfaqësuesen e Kosovës, sepse ju e dini që përfaqësuesja e Kosovës nëse nuk i ka dy-tre lojtarë te të cilët varet loja e tyre, ne kemi probleme të mëdha në ekzekutimin e të gjitha atyre planeve të cilat i ka prezantuar stafi teknik në lojë”, theksoi fillimisht Loci.

Pavarësisht kësaj, puna nuk është ndalur.

Trajneri Loci thotë do të jepet maksimumi.

“Normalisht çdo lojë që luhet jashtë është e vështirë. Po veçanërisht kur bëhet fjalë për përfaqësuese. Edhe Shqipëria ka basketboll, nuk mund t'i krahasojmë ligat të cilat luhen në Kosovë dhe në Shqipëri, mirëpo ju e dini që këtu pjesa dërmuese janë lojtarë të huaj, kurse në Shqipëri edhe ata e kanë natyralizuar një lojtar. Kështu që pritet lojë e mirë, lojë e një niveli të lartë dhe ne do japim çdo gjë prej veti që të nxjerrim një epilog pozitiv prej asaj ndeshje”, shtoi ai.

Edhe basketbollisti Lis Shoshi tha për KosovaPress se Kosova është përgatitur maksimalisht dhe se synimi është që të fitohen të dyja ndeshjet, duke mos lënë hapësirë për kalkulime.

Edhe basketbollisti Dardan Kapiti tha që secila ndeshje do të trajtohet si finale. Ai shprehu besimin se mbështetja e tifozëve në Prizren do t’i japë ekipit motiv shtesë për të arritur objektivin.

Kosova më 2 korrik përballet me Shqipërinë në Prizren, derisa tri ditë më vonë është mysafire e Sllovakisë.

KosovaPress


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026