Kosova sot ka pranuar statusin e kandidatit në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), nga e cila ishte përjashtuar katër vjet më parë për shkak të ndërhyrjeve politike në Agjencinë Kosovare të Akreditimit.
Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim me vendimin e sotëm është vetëm edhe një hap larg për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e ENQA.
Ajo ka thënë se kjo është një e arritur e jashtëzakonshme nga e cila do të përfitojnë studentët, të diplomuarit, komuniteti akademik dhe shteti i Kosovës në përgjithësi.
“Vendimi i sotëm është një garanci kredibile për cilësinë në arsimin e lartë dhe lehtëson procesin e njohjes së diplomave të studentëve dhe të diplomuarve në vendet evropiane. Po ashtu, ky vendim lehtëson procesin e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve me vendet evropiane dhe më gjerë”, ka thënë Nagavci.